
Grupi Los Alegres del Barranco performon para imazheve që ngjasojnë me një lider karteli. Presidentja meksikane ka thënë se grupet muzikore nuk duhet të jenë apologjetë për dhunën
Mijëra fansa të djersitur u mblodhën në një sallë koncertesh në Guadalajara muajin e kaluar për të dëgjuar Los Alegres del Barranco të këndonte këngët e tyre më të mira, duke përfshirë baladat gazmore, si “El Del Palenque”, që festojnë bëmat e trafikantëve të drogës. Kur imazhet e heroit të asaj kënge, udhëheqësit të kartelit Nemesio “El Mencho” Oseguera, u shfaqën në ekran, shumë njerëz të gëzuar shpërthyen në brohoritje.
Skena të tilla janë tipike për narcocorridos, një zhanër popullor i muzikës rajonale meksikane që romantizon figurat e kartelit, ushtarët e tyre dhe rrugëtimin nga varfëria drejt pasurisë. Por reagimi i vendit ndaj këtij koncerti të veçantë ishte i ndryshëm. Ngjarja ndodhi disa javë pas zbulimit të një kampi stërvitor të karteliy të drejtuar nga njerëzit e Mencho-s, plot me grumbuj veshjesh dhe copa kockash. Pamjet e koncertit ndezën zemërim politik në të gjithë Meksikën.
Rezultati ishte i shpejtë. Anëtarëve të grupit iu anuluan vizat amerikane për gjoja mbështetjen e kartelit Jalisco Nueva Generacion të Oseguerës, të listuar si një organizatë terroriste nga SHBA-ja. Disa qeveri lokale në Meksikë kanë miratuar ose propozuar ndalimin e shfaqjeve publike të narkocorridos. Grupe të tjera të njohura janë betuar se nuk do luajnë më këngë të frymëzuara nga trafikantët.
Muzika rajonale meksikane ka shpërthyer në popullaritet vitet e fundit falë transmetimit dhe mediave sociale – një dukuri që e bëri këngëtarin meksikan Peso Pluma artistin më të transmetuar në YouTube në SHBA në vitin 2023.
Por kundërshtimi politik ndaj narkocorridos po rritet. Koncerti i Guadalajara erdhi në një kohë veçanërisht të ndjeshme për Meksikën. Të kombinuara, vrasjet dhe zhdukjet arritën rreth 40,000 njerëz vitin e kaluar, afër një niveli rekord, me prerje sporadike të kokave dhe masakra nëpër shtete të ndryshme, sondazhet tregojnë se siguria është shqetësimi numër një i vendit.
Pas zbulimit të terrenit të vrasjes së Oseguera, presidentja Claudia Sheinbaum u detyrua të përgjigjet me një plan të ri për të gjetur 120,000 personat e zhdukur të vendit.
Sheinbaum po lufton gjithashtu për të bindur presidentin amerikan Donald Trump se ajo po bën mjaft për të çmontuar krimin e organizuar. Ai ka thënë se qeveria e Meksikës ka një “aleancë të patolerueshme” me kartelet e drogës që furnizojnë fentanilin që vret dhjetëra mijëra amerikanë çdo vit.
Me rrënjë në poemat epike mesjetare spanjolle, baladat – ose corridos – për banditët vendas u bënë të njohura gjatë revolucionit meksikan në fillim të shekullit të 20-të. Kalimi te tregtarët e drogës ndodhi në vitet 1970 dhe 1980, thotë Rafael Acosta Morales, Profesor i Asociuar i studimeve kulturore të Amerikës Latine në Universitetin e Karolinës së Veriut.
“Corridos ishin absolutisht fiktive, dhe kryesisht ato ishin thjesht gjëra që disa kompozitorë mendonin se do tingëllonin bukur,” thotë ai.
Corridos u bë një element kyç i propagandës për kartelet, shton ai. Në rrugët e qyteteve si Culiacán, Sinaloa, shtëpia e kartelit Sinaloa, grupet luajnë audicione të hapura të corrideve, duke shpresuar të punësohen për festa lokale.
Sheinbaum ka thënë se grupet muzikore nuk duhet të jenë apologjete për dhunën, por ajo është kundër ndalimit të këngëve. Në vend të kësaj, ajo po promovon një konkurs muzikor të sponsorizuar nga qeveria me mesazhe “pozitive”.
Mbrojtësit e industrisë thonë se muzika e tyre pasqyron të vërtetën dhe se ndalimet e shfaqjeve nuk do luajnë asnjë rol mbi forcën e karteleve në Meksikë. Juan Carlos Ramírez-Pimienta, profesor spanjoll në Universitetin Shtetëror të San Diegos, gjithashtu thekson se shumë kultura popullore është e diskutueshme, duke përfshirë filmat me gangsterë tejet të dhunshëm.
Përpjekjet e mëparshme për të ndaluar narkocorridot kanë dështuar.
“Ato kanë vazhduar që nga vitet ’90,” thotë Ramírez-Pimienta.
“Unë nuk mendoj se kultura popullore mund të ligjërohet.”
Los Alegres del Barranco u thirr nga prokurorët e shtetit Jalisco javën e kaluar. Por kënga e tyre për Oseguera u bë virale. Pyetja është nëse një goditje do riformësojë industrinë apo do e lartësojë atë. Acosta Morales beson këtë të fundit.
“Nëse censuroni narkocorridot, thjesht po i ktheni narkocorridistët në heronj popullorë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani