I dënuar për fshehje pasurie, GJKKO konfiskon apartamentin e ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja


GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për konfiksimin e një apartamenti 60 m2 të ish kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Dedja u dënua me 6 muaj nga burg nga Gjykata e Posaçme për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë më 26 qershor të vitit 2023, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm më 13 shkurt të këtij viti.

SPAK e akuzon Dedjan se ka fshehur në deklarimin e një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë. Dedja ka thënë se ky apartament është i vëllait të tij dhe thjesht e ka pasur në përdorim.

Bashkim Dedja është i pari nga ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e shkarkuar nga vettingu i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa të tjerë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga vettingu janë ende nën hetim.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese e kaloi shkallen e parë të vettingut, por ishte shkalla e dytë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit që e rrëzoi duke e larguar nga detyra.