KPA rikthen në detyrë prokurorin Bajram Breçani, rrëzohet vendimi i KPK për shkarkimin e tij


Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të rikthejë në detyrë prokurorin e Tiranës, Bajram Breçani, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili e kishte shkarkuar atë për probleme në kriterin e pasurisë.

Vendimi i KPK-së ishte marrë më 6 shtator 2022, por Breçani e ankimoi atë në KPA. Pas shqyrtimit të çështjes nr. 47/2022, trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Ina Rama (kryesuese), Sokol Çomo (relator), dhe anëtarët Mimoza Tasi, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, vendosi me shumicë votash ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe konfirmimin në detyrë të prokurorit Breçani.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 558, datë 06.09.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Bajram Breçani. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e KPA.