Gjatë një takimi elektoral të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në Gjirokastër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për përvetësim pronash dhe përfshirje në afera të mëdha korruptive.
“Po ato 224 mijë metra katrorë tokë të Manastirit dhe në Gjipe. Kush i mori, çfarë lidhje kishe ti me to? Lexoni, Spiro Koleka, Nushët kanë deklaruar se kanë qenë më të varfërit e Vunoit dhe tani na dalin me dhjetëra hektarë prona, të gjitha të grabitura nga Edi Rama. Po ai kopshti 8 mijë metra në Surrel, nga mbiu apo t’i dhuroi gruaja?” – tha ndër të tjera Berisha për origjinën e pronave të familjes së kryeministrit.
Ai akuzoi gjithashtu Ramën për përfshirje në aferën e inceneratorit të Tiranës, duke përmendur shifra marramendëse që, sipas tij, janë shpërdoruar.
“Po 130 mln euro të djegësit të Tiranës, shkoi në gjykatë dosja, 2 drejtorë kanë shkelur ligjin, por para s’kanë marrë ata, ka firmosur Edi Rama. Dhe ajo që duhet të vëzhgonte punimet ishte lubi Balluku, e cila s’ka bërë asnjë raport. Pse? Sepse e shihte se dardhat i hante Edi Rama. Tani thotë lavdi hajdutëve të mi.”
Berisha përmendi edhe çështjen “McGonigal”, për të cilën tha se kryeministri është përfshirë në korrupsion ndërkombëtar për të dëmtuar opozitën.
“Rama thotë nuk ka një fakt për mua. Nuk je ti që i ke dhënë McGonigal 220 mijë dollarë për ta korruptuar kundër opozitës dhe këtë e faktojnë gjykatat amerikane? Çfarë fakti do? I kanë ardhur lajmet dhe çdo ditë ‘rroftë e qoftë Altin Dumani’, ju garantoj që dhe Nuredinit do t’i thurte poema se do të shpëtojë nga dosja ‘McGonigal’.”
Nga Gjirokastra, lideri i opozitës nuk kurseu as ironinë ndaj keqmenaxhimit të fondeve publike, duke iu referuar një shembulli konkret:
“E morët vesh ju? Tërmeti, 60 mln euro drejtorëve të vet, 5D e Tiranës. Ju garantoj se në Gjirokastër nëse do investoheshin 60 mln euro, do kishin transformuar në shumë aspekte këtë qark. Po me kë i ndan Tërmeti? I ndan me Kumbaron, Edi Ramën.”