Një nxënës i vrarë dhe tre të plagosur në një sulm me thikë në një gjimnaz në Francë


Një nxënës u vra dhe tre të tjerë mbetën të plagosur në një sulm me thikë të ndodhur këtë të enjte në një gjimnaz privat në qytetin Nantes, në Francën perëndimore, sipas informacioneve të policisë.

Sulmi ndodhi gjatë pushimit të drekës në shkollën Notre-Dame-de-Toutes-Aides, ku një nxënës 15-vjeçar goditi me thikë katër bashkëmoshatarë të tij, para se të ndalohej nga mësuesit dhe të arrestohej nga policia.

Zyrtarët policorë thanë se motivet e ngjarjes nuk janë ende të qarta dhe se nuk ka asnjë tregues që të bëhet fjalë për një akt me sfond terrorist.

Mësuesit ndërhynë dhe arritën të neutralizonin agresorin para se të mbërrinte policia, përcjell The Guardian.

Ngjarje të tilla fatale mbeten të rralla në shkollat franceze. Megjithatë, ky incident ka shkaktuar tronditje në opinionin publik dhe në komunitetin arsimor.

Ministrja franceze e Arsimit, Élisabeth Borne, tha në një postim në platformën X se ajo dhe ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, po udhëtojnë drejt shkollës për të shprehur “solidaritet me viktimat dhe komunitetin shkollor”.

Pamjet nga vendngjarja treguan praninë e shtuar të forcave të policisë dhe trupave ushtarake rreth shkollës, ndërkohë që hetimet kanë nisur.

Zyrtarë të shkollës, që ndodhet në një kompleks arsimor që përfshin edhe shkolla fillore dhe të mesme, nuk pranuan të komentojnë mbi rrethanat e sulmit, duke thënë se aktualisht janë të përqendruar në përkujdesjen e nxënësve të pranishëm.