Presidenti i Kolumbisë ka varësi nga kokaina, akuzat nga ish-ministri


Ish-ministri i Jashtëm i Kolumbisë ka akuzuar presidentin e majtë të vendit, Gustavo Petro, se kishte varësi nga droga, duke thënë se ai e kuptoi këtë kur presidenti u zhduk për dy ditë gjatë një vizite zyrtare në Francë.

“Në Paris mund të konfirmoja se kishe problemin e varësisë nga droga,” shkroi Álvaro Leyva në një letër të hapur të botuar të mërkurën në X.

“Shërimi juaj për fat të keq nuk ka ndodhur.”

Leyva nuk tha se nga cila drogë besonte se Petro ishte i varur.

Zëdhënësit e presidencës iu referuan telefonuesve komentet e Petro në X, ku presidenti postoi me sarkazëm se Parisi ofronte gjëra më interesante për të bërë sesa të qëndronte me ish-ministrin.

“A nuk kisha vajzat dhe mbesat në Paris që janë shumë më interesante se shkruesi i letrës?” -p yeti Petro. Ai nuk e adresoi drejtpërdrejt akuzën për varësi nga droga.

Leyva, 82 vjeç, një gjigant i politikës në Kolumbi,  vend kryesor i prodhimit të kokainës në botë, shërbeu si ministër e Jashtëm i Petros për gati dy vjet nga gushti 2022. Ai udhëtoi shumë me presidentin, duke përfshirë udhëtimin në Paris në qershor 2023.

Sjellja e çrregullt e Petro-s ka qenë prej kohësh objekt komentesh në qarqet politike dhe diplomatike në Bogota. Presidenti, i cili publikisht ka bërë thirrje për legalizimin e kokainës, shpesh herë vjen vonë në takime të rëndësishme ose mungon fare dhe është zhdukur nga publiku për ditë të tëra.

“Zhdukjet tuaja, ardhjet me vonesë, mosparaqitjet e pajustifikueshme, udhëtimet pa qëllim, frazat jokoherente dhe shoqëria e dyshimtë që mbani…janë vënë re dhe do vijojnë të vihen re”, ka shkruar Leyva.

“Dihet mirë se keni rënë në periudha shumë të shpeshta të vetmisë, ankthit, depresionit dhe gjendjeve të tjera që janë të vështira për t’u kapërcyer.”

Petro bëri bujë në shkurt kur bëri thirrje që shitja e kokainës të legalizohej, duke thënë se ajo nuk ishte më keq se uiski dhe se ishte e paligjshme vetëm sepse prodhohej në Amerikën e Jugut. Nëse droga, e cila krijon shumë varësi, do dilte në dyqane, Petro tha se “do shitej si vera”.

Petro është i njohur për postime të gjata dhe të zhurmshme në mediat sociale në orët e para të mëngjesit, duke përfshirë disa në janar, ku kundërshtoi të pranojë të dëbuarit nga SHBA-ja, gjë që shkaktoi hakmarrje drastike nga administrata Trump. Petro u tërhoq shpejt, megjithëse jo përpara se ta krahasonte veten me një personazh nga një roman i Gabriel García Márquez dhe të pretendonte se ishte gati të vdiste si martir për bindjet e tij të majta.

Álvaro Leyva shkroi: “Zhdukjet tuaja, ardhjet me vonesë, dështimet e papranueshme për t’u shfaqur, udhëtimet pa qëllim, frazat jokoherente dhe shoqëria e dyshimtë që mbani”… janë shënuar

Në letrën e tij me katër faqe, që mbizotëroi titujt kryesorë në Kolumbi mëngjesin e së mërkurës, Leyva i kërkoi gjithashtu Petro-s që të “shkëputej nga ata që ju kanë përdorur, që kanë përfituar nga gjendja jashtëzakonishte ndërlikuar, që iu kanë bërë dhe vijojnë t’iu bëjnë dëme të tmerrshme”.

Ish-diplomati veçoi anëtarët e rrethit të ngushtë të Petro-s, të përfshirë nga skandali, duke përfshirë ministren e tij të jashtme Laura Sarabia, ministrin e Brendshëm Armando Benedetti dhe ish-shefin e fushatës së tij Ricardo Roa, i cili aktualisht shërben si shef ekzekutiv i gjigantit të naftës, Ecopetrol, që kontrollohet nga shteti.

Të tre janë futur në grackën e skandaleve të financimit të fushatës, ndërsa Benedetti ka pranuar se po luftonte me varësinë nga droga. Në shkurt, disa ministra të kabinetit dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në shenjë proteste kundër ndikimit në rritje të Benedetti dhe Sarabia.

Shqetësimi për gjendjen shëndetësore të Petro-s u shfaq në publik kur María Jimena Duzán, një gazetare hulumtuese që kishte mbështetur Petro-n, botoi një rubrikë në nëntor 2023 duke thënë se zhdukjet e shpeshta të Petro-s “kishin të bënin me një problem varësie, të cilin iu keni dashur ta mbani sekret”. Ajo shtoi: “Nëse keni një problem të varësisë, ju kërkoj me respekt që të tregoni.”

Petro është përgjigjur me një postim në rrjetet sociale duke thënë se “e vetmja varësi që kam është kafeja në mëngjes”.

Kolumbia është prodhuesi kryesor në botë i kokainës dhe prodhimi i drogës ka arritur një nivel më të lartë prej dy dekadash nën presidencën e Petro-s, sipas shifrave të vitit të kaluar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin.

Kombi i Amerikës së Jugut prodhoi rreth 2,664 ton kokainë të pastër në vitin 2023, viti më i fundit i disponueshëm, një rritje prej 53 për qind nga viti i kaluar.

Zona e Kolumbisë e kultivuar me shkurre koka, gjethet e së cilës përdoren për të prodhuar kokainë, gjithashtu u rrit në 253,000 hektarë, afërsisht sa madhësia e Mbretërisë së Bashkuar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani