PS dërgon ankesë në KQZ për problemet me votimin e diasporës


Partia Socialiste i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një ankesë zyrtare, duke kërkuar marrjen e masave për problematikat e hasura gjatë procesit të votimit të diasporës. Në dokumentin e firmosur nga Damian Gjiknuri, Sekretar për Organizimin dhe Çështjet Zgjedhore, PS evidenton një sërë shqetësimesh që lidhen me shërbimin e ofruar nga kompania postare DHL.

Sipas ankesës, në disa vende si Greqia dhe Italia nuk janë respektuar protokollet e njoftimit përmes emailit dhe SMS-ve, ndërsa janë raportuar edhe vështirësi në kontaktimin me DHL, ku thirrjet rezultojnë të dështuara. Po ashtu, është evidentuar refuzimi për të pranuar zarfet e kthimit, kërkesa për pagesë nga votuesit dhe rasti kur qytetarët janë detyruar t’i dorëzojnë fizikisht zarfet në pikat postare.

Ndër problematikat e tjera të renditura përfshihen edhe raste të mungesës së fletëve të votimit në zarf, shpërndarje e pabarabartë e zarfeve brenda të njëjtës familje dhe dërgesa pa paralajmërim që kanë rezultuar në kthimin e zarfeve pa dijeni të votuesve.

Gjithashtu, në disa raste si në qytetin e Brescias në Itali, DHL nuk ka njohur barkodet e zarfeve, duke shtuar pasigurinë për vlefshmërinë e votave të dërguara nga emigrantët.