Rama nga Belshi: Të rinjtë kanë mundësinë të çojnë Shqipërinë në BE, më tej se gjenerata e ’90-ës


Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me të rinjtë në Belsh, ku theksoi rolin e rëndësishëm që ka brezi i ri në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 Ai e cilësoi këtë mision si “historik” dhe i ftoi të rinjtë të angazhohen për të bërë realitet ëndrrën europiane.

Duke i cilësuar të rinjtë si “pararoja e votuesve të parë”, Rama tha se ata janë brezi që mund të bëjë një kapërcim edhe më të madh se ai i gjeneratës së viteve ’90, duke kaluar nga Shqipëria gjeografikisht në Europë, në Shqipërinë brenda BE-së.

“I erdhi gjeneratës së re të vitit 1990, dhe sot i ka ardhur gjeneratës suaj. Por nëse gjenerata e vitit 1990 pati mundësinë të bëjë një kapërcim të madh nga diktatura në liri, ju keni mundësi të bëni edhe një kapërcim edhe më të madh”, deklaroi Rama.

Ai i ftoi të rinjtë që të përfshihen aktivisht në fushatë dhe të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes, duke e cilësuar këtë si një rast që “nuk vjen shpesh në jetë” dhe që ka rëndësi jo vetëm për vendin, por veçanërisht për brezin e tyre.

Rama u shpreh se integrimi në BE është një mision që i tejkalon individët dhe partitë:

“Fitorja në 11 maj nuk është për mua, as për deputetët apo qeverinë, por një fitore për përmbushjen e një misioni historik që nuk është i yni, por pjesë e të cilit ne jemi. Mision i gjeneratave të tëra.”- tha Rama.