Spanja anulon kontratën e blerjes së armëve nga kompania izraelite pas tensioneve në Gaza


Qeveria spanjolle ka vendosur të anulojë një kontratë prej 6.6 milionë euro për blerjen e 15.3 milionë plumbave nga një kompani izraelite, pas presionit të aleatëve të koalicionit qeverisës që e konsideruan marrëveshjen si një “shkelje flagrante” të angazhimeve të përbashkëta dhe një rrezik për përpjekjet e vendit për të kërkuar llogari ndaj Izraelit për veprimet e tij në Gaza, përcjell The Guardian.

Kryeministri socialist Pedro Sánchez është shfaqur si një nga kritikët më të zëshëm të sjelljes së Izraelit gjatë luftës në Gaza, duke vënë në dyshim përputhshmërinë me ligjin ndërkombëtar humanitar dhe duke e cilësuar numrin e viktimave palestineze si “të papërballueshëm”.

Në këtë linjë, Spanja ka njohur zyrtarisht shtetin palestinez dhe është zotuar të mos blejë apo shesë armë ndaj Izraelit që prej shpërthimit të konfliktit më 7 tetor 2023.

Megjithatë, Ministria e Brendshme kishte kërkuar që marrëveshja për blerjen e 15.3 milionë plumbave 9mm nga kompania izraelite IMI Systems të vijonte, duke thënë se ishte tepër e avancuar për t’u anuluar dhe se ndërprerja do të linte pa municion Forcat e Gardës Civile.

Lajmi shkaktoi reagime nga platforma e majtë Sumar, themeluar nga ministrja e Punës Yolanda Díaz, e cila kërkoi anulim të menjëhershëm. Përfaqësues të tjerë të koalicionit u shprehën se nuk do të toleronin që ndonjë pjesë e qeverisë të “financonte një shtet gjenocidist”. Izraeli ka mohuar akuzat për gjenocid, të cilat po shqyrtohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas një padie të ngritur nga Afrika e Jugut.

Kjo çështje shtoi përçarjen mes socialistëve dhe aleatëve të tyre në koalicion, të cilët tashmë kishin shprehur pakënaqësi ndaj planit të qeverisë për të investuar 10.5 miliardë euro për të përmbushur angazhimin e NATO-s për shpenzime ushtarake në nivelin 2% të PBB-së.

Të enjten në mëngjes, zyra e kryeministrit Sánchez dhe ajo e zëvendëskryeministres Díaz njoftuan se kontrata do të anulohej njëanshmërisht dhe se licenca e importit për municionin nuk do të miratohej. Qeveria deklaroi se “të gjitha rrugët e negociatës janë shteruar” dhe se po konsultohet me këshilltarë ligjorë për këtë çështje.

“Partitë që përbëjnë qeverinë progresiste janë të përkushtuara ndaj kauzës palestineze dhe paqes në Lindjen e Mesme”, thanë burime qeveritare. “Për këtë arsye, Spanja nuk do të blejë dhe as do të shesë armë me kompani izraelite.”

Po ashtu, u theksua se çdo porosi e papërmbushur për armë nga Izraeli, e bërë përpara 7 tetorit 2023, nuk do të vijojë më.