Trump pas sulmeve vdekjeprurëse në Kiev: “Vladimir, ndalo.” Të përmbyllim marrëveshjen e paqes ‘tani’


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dënoi sulmin ajror të natës së kaluar nga Rusia ndaj Ukrainës, duke deklaruar se është “i pakënaqur” dhe se goditjet ishin me “kohë shumë të keqe”.

Të paktën tetë persona humbën jetën dhe 77 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse, që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i quajti më herët “të vështira” dhe “të pacipa”.

Duke folur nga Afrika e Jugut, vizitë të cilën e ndërpreu për shkak të sulmeve, Zelensky tha se duhet vendosur “më shumë presion” ndaj Rusisë për të arritur një armëpushim mes dy vendeve, përcjell BBC.

Nga ana tjetër, Trump, në një postim në rrjetet sociale, iu drejtua drejtpërdrejt presidentit rus Vladimir Putin: “Vladimir, NDALO! Po vdesin 5000 ushtarë në javë. Të përmbyllim marrëveshjen e paqes TANI!”

Të mërkurën, Trump akuzoi Zelensky-n se po dëmton përpjekjet për paqe, pasi ky i fundit deklaroi se Ukraina nuk do ta njohë kurrë kontrollin rus mbi Krimenë – një çështje me rëndësi të madhe gjeopolitike dhe simbolike për të dyja palët.

I pyetur për sulmet e fundit, kryeministri britanik Keir Starmer tha se ato përbëjnë një “kujtesë të qartë se Rusia është agresori në këtë konflikt”.