Policia e Durrësit, në bashkëpunim me forcat operacionale dhe Prokurorinë, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last Threat”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan tre shtetas: Robert Lamnica, 40 vjeç, Alma H., 49 vjeçe, dhe A. H., 21 vjeç, të gjithë banues në Durrës.
Sipas hetimeve, Alma. H. i kishte ofruar favore seksuale kundrejt pagesës një shtetasi, të cilin më pas, në bashkëpunim me Robert Lamnicën, e kishin kërcënuar me armë të ftohtë dhe i kishin marrë 65,000 lekë të rinj. Gjithashtu, dyshohet se Lamnica përdorte foto intime për të shantazhuar persona të ndryshëm.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe 21-vjeçari A. H., i cili u kap me një sasi kokaine të ndarë në doza, gati për shitje.
Njoftimi:
Durrës
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me mbështetjen e forcave operacionale të DVP Durrës, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Last Threat”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit Robert Lamnica, 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, Alma H, 49 vjeçe, banuese në Spitallë, Durrës dhe A. H., 21 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasja A. H. i ka ofruar favore seksuale, kundrejt pagesës, shtetasit F. Ç., në banesën e saj. Më pas, në bashkëpunim me shtetasin R. L., e kanë kërcënuar shtetasin F. Ç. me mjet prerës (thikë), dhe i kanë marrë 65000 lekë të rinj.
Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasja A. H. ushtronte prostitucion dhe më pas shtetasi R. L. iu bënte foto intime klientëve, si dhe i kërcënonte për të paguar shuma të mëdha parash, me qëllim mospublikimin e fotove.
Operacioni ka nisur një javë më parë. Gjatë tij, fillimisht u vu në pranga shtetasja A. H. dhe gjatë ditës së djeshme u vu në pranga shtetasi R. L..
Po gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 21 vjeç, pasi në momentin e kapjes së shtetasit R. L., ky shtetas ishte bashkë me të dhe gjatë kontrollit, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që janë kërcënuar nga këta shtetas, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale që kryhej nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasit R. L. dhe A. H., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prostitucioni”, si dhe për 21-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.