Berisha: Ajo që ndodh te Onkologjiku krim kundër njerëzimit, dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë


Kreu i PD-së Berisha premtoi dyfishim të buxhetit për shëndetësinë ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se ka shkatërruar sistemin shëndetësor dhe për gjendjen te Onkologjiku, të cilën e etiketoi si katastrofale.

Gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-së për Tirannën në Njësinë 4, kryedemokrati tha se kreu i qeverisë ka kryer krim me atë që ndodh në spitale.

“Shqiptarët në 1 vit, shpenzojnë për ilaçe, 4 herë më shumë se për bukën. Kjo do të marrë fund. Jo vetëm kaq. Kjo shumë është e pamjaftueshme për ilaçet, rrogë nën 500 euro nuk do ketë. Të gjithë rrogëultit, të gjithë pensionistët do kenë kartën e konsumatorit me të cilën do marrin gjërat bazë, ushqimet me 20% më lirë se të tjerët. Shqipëria do të adaptojë pikë për pikë listën e ilaçeve të Republikës Italiane dhe do e rimbursojë atë 100% për qytetarët e vet. Në këtë mënyrë ne i japim një përgjigje dinjitoze problemit të mjekimit, të kujdesit për shëndetin. Dy shërbime themelore për çdo komb, arsimi dhe shëndetësia kanë degraduar në mënyrën më të papranueshme. Janë rrokullisur gjer në pothuajse shpartallim.

Në rast se i hedh sistemi të shëndetësisë, është një sistem jashtëzakonisht problematik. Është një sistem në të cilin të sëmurët rëndë në spitale, i merr sëmundja se nuk kanë ilaçe për mjekim. Është një sistem në të cilin, një i sëmurë që shfaqet një shqetësim, duhet të presë muaj  e muaj të tërë për të bërë skanerin, apo rezonancën. Është një sistem në të cilin mjekimi, është gjysmak, ose ai që nuk duhet. Ju keni ndjekur dramën e tmerrshme që zhvillohet në spitalin onkologjik. Në asnjë vend të botës nuk ndodh ajo. Tre muaj përpara Edi Rama deklaroi se, atje po ndodhin krime kundër njerëzimit. Me të vërtetë po. Në të vërtetë është krim i mirëfilltë kundër njerëzimit, në qoftë se të sëmurin që e ke marrë për mjekim e mban dhe nuk i jep ilaçet që duhen për të luftuar sëmundjen. Ky është krim.” – tha Berisha.