Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të enjte një konferencë për shtyp nga selia blu, ku ndau përshtypjet nga turi i tij dyditor në jug të vendit, duke u ndalur veçanërisht në problematikat që, sipas tij, po përjetojnë komunitetet lokale.
Berisha e cilësoi situatën në jug si alarmante, duke theksuar braktisjen masive të zonave nga të rinjtë dhe mungesën e shërbimeve bazë. “Nëse largohesh vetëm pak kilometra nga bregdeti, ndesh një shkretëtirë njerëzore – shkolla të mbyllura, qendra shëndetësore të shkatërruara dhe mungesë totale të mjekëve”, u shpreh ai.
Një nga akuzat kryesore të kryedemokratit ishte ndaj platformës qeveritare e-Albania, të cilën e quajti “kurthi më i keq i kohëve të Edi Ramës”. Sipas tij, aplikimi për dokumentet e pronës në jug është kthyer në një skemë korrupsioni, ku qytetarët përballen me heshtje administrative dhe më pas me ndërhyrjen e sekserëve që kërkojnë shuma të mëdha parash për shërbime që ligjërisht duhet të ishin falas.
“Një aplikim për 1 dynym tokë i kushton qytetarit 5 mijë euro – është ky realiteti i Borshit dhe Himarës. E-Albania i ndan tokat me dynym, siç ndan Lubi Balluku rrugët me lote,” deklaroi Berisha.
Ai premtoi rikthimin e zyrave të shërbimeve publike në çdo rreth brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së PD-së, në rast se vjen në pushtet.
“Bashkia do t’i ketë sërish të gjitha shërbimet si në vitin 2013,” shtoi ai.
Berisha e quajti 11 majin një datë vendimtare për të ardhmen e vendit, ndërsa tha se turi i tij i fundit e ka lënë njëkohësisht mirënjohës dhe të trishtuar nga gjendja e zonave jugore, të cilat, sipas tij, po përjetojnë një “vjedhje të madhe dhe një braktisje të paprecedentë”.