Dokumentet zbulojnë dallime mes SHBA-së dhe aleatëve mbi përpjekjet për paqe në Ukrainë


Zyrtarët ukrainas dhe evropianë kanë kundërshtuar këtë javë disa nga propozimet amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke paraqitur kundërpropozime për çështje që variojnë nga territori te sanksionet, sipas teksteve të plota të dokumenteve të siguruara nga Reuters.

Dy grupet e propozimeve, që vijnë nga bisedimet mes zyrtarëve të SHBA-së, Evropës dhe Ukrainës në Paris më 17 prill dhe në Londër më 23 prill, zbulojnë diplomacinë intensive që po zhvillohet ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kërkon një përfundim të shpejtë të luftës.

Dallimet kryesore mes dy dokumenteve përfshijnë mënyrën e trajtimit të çështjeve territoriale, heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, garancitë e sigurisë dhe përmasat e ushtrisë ukrainase.

Ndërsa disa prej këtyre mospajtimeve ishin përmendur më parë nga burime pranë bisedimeve, dokumentet e siguruara nga Reuters ofrojnë për herë të parë detaje të plota dhe të qarta.

Dokumenti i parë përfaqëson propozimet e përcjella nga i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, në takimin me zyrtarë evropianë në Paris – dhe që më pas iu komunikuan ukrainasve, sipas burimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka përshkruar këtë si një “kuadër të gjerë” për të identifikuar dallimet mes palëve.

Dokumenti i dytë u hartua një javë më vonë nga zyrtarë ukrainas dhe evropianë në takimin e Londrës dhe iu dorëzua palës amerikane.

Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi të enjten se mendonte që dokumenti me propozimet nga bisedimet e së mërkurës tashmë ndodhet në tavolinën e Trumpit.

Kjo diplomaci përfaqëson përpjekjen më serioze për ndaljen e luftimeve që nga muajt e parë të pushtimit rus në shkurt 2022. Aktualisht, forcat ruse kontrollojnë afro një të pestën e territorit të Ukrainës.

 

Çështja e territorit

Sipas propozimeve të Witkoff-it, SHBA do të njihte de jure kontrollin e Rusisë mbi Krimenë, e cila u aneksua në vitin 2014, si dhe kontrollin de facto të zonave të tjera në jug dhe lindje të Ukrainës ku ndodhen forcat ruse.

Në të kundërt, dokumenti ukrainas-evropian parashikon që diskutimet mbi territorin të shtyhen pas një armëpushimi, pa përmendur ndonjë njohje të kontrollit rus mbi territorin ukrainas.

 

Garancitë e sigurisë

Dokumenti amerikan përmend një “garanci të fortë sigurie” për Ukrainën me shtete evropiane dhe aleatë të tjerë si garantues, por pa detaje specifike. Po ashtu, thuhet se Ukraina nuk do të kërkojë të anëtarësohet në NATO.

Dokumenti ukrainas-evropian është më i detajuar: nuk vendos kufizime mbi forcat ukrainase dhe lejon vendosjen e trupave ushtarake të aleatëve në tokën ukrainase – një pikë që pritet të zemërojë Moskën.

Ky dokument propozon garanci të forta sigurie për Kievin, përfshirë nga SHBA, përmes një marrëveshjeje të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, i cili parasheh mbrojtje të ndërsjellë.

Masat ekonomike

Propozimi amerikan parasheh që sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 të hiqen si pjesë e marrëveshjes së paqes.

Në anën tjetër, dokumenti ukrainas-evropian propozon “heqje graduale të sanksioneve vetëm pas arritjes së një paqeje të qëndrueshme”, dhe parashikon rikthimin e tyre në rast shkeljeje të marrëveshjes nga ana e Rusisë.

Dokumenti ukrainas-evropian kërkon gjithashtu që Ukraina të kompensohet financiarisht për dëmet e luftës përmes aseteve ruse të ngrira jashtë vendit. Dokumenti amerikan flet për kompensim, por pa përmendur burimin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters