Kryeministri Rama ishte sot në Shkodër ku u takua me qytetarë e mbështetës të PS-së.
Pasi ironizoi kreun e PD-së Berisha të cilin e quajti buf kënete, tha se e kishte gjyshen nga Shkodra dhe se ka pasur përherë “kunj” me këtë qytet duke qenë se humbiste përherë.
“Këta më thonë mua komunist dhe mbajnë vetë në krahë bufin sekretar partie, që ka persekutuar dhe internuar njerëz, i ka shërbyer edhe Partisë së Punës! Ku e la Shkodrën, në prapambetje. Tani Shkodra është ndryshe, ajo që bëmë ne për Shkodrën, nuk e di për ata burrat demokratë të PD-së këtu se çfarë mendojnë, teksa gjysmat e burrave këtu i kemi me ne. Këtu e kam pas edhe kunjin më të madh se fiton në të gjithë Shqipërinë, hajde këtu humb, dhe duke qenë se kam dhe gjyshen shkodrane katolike, më vinte plasja dhe thosha: çfarë kanë këta me mua.” – tha Rama.
Kryeministri u tha shkodranëve se më 11 maj duhet të votojnë PS-në për ta kthyer qytetin në Evropë, duke qenë se ka qenë dikur Evropa e Shqipërisë.
“Shkodra ka qenë dikur Europa e Shqipërisë, këtu ka qenë Europa e Shqipërisë. I takon Shkodrës që më 11 maj të marri një vendim domethënës, të marri vendim historik, asaj i takon, e këtë mundësi historike të derës së hapur të BE-së ta rroki e të mos shohë majtas e djathtas, por ta votojnë. Se ne jemi thjesht forca në vendin e kohën e duhur, për ta integruar vendin në BE, ashtu siç ishte PD më 1992, kur shumë shqiptarë shkuan e votuan masivisht. Sepse ishin zgjedhje jo politike, por ndarja nga e shkuara dhe e ardhmja, ndaj duhet të zgjidhni të ardhmen këtë herë më 11 maj, ndaj Shkodra të zgjedhë të ardhmen. Në momentin që Shqipëria anëtarësohet në BE, është një Shqipëri e re, me forca të reja, me mundësi financiare të reja, me aleanca të reja, me kuptim krejt tjetër. Mbi të gjitha një Shqipëri që i jep të gjithë qytetarëve të vet, fëmijëve tuaj, pasaportën europiane, që nuk është dokument udhëtimi si kjo që kemi sot, pasaportën shqiptare, por është status dinjiteti e qytetarie europiane, që ky popull s’e ka pasur kurrë. Këto vite ka qenë përpjekje e madhe, mundësi e madhe, kokëfortësi e madhe për t’iu imponuar të tjerëve që ta meritojmë dhe ta marrim këtë mundësi, e që Shqipëria të jetë e respektuar, e besuar dhe vlerësuar, e kjo nuk mjafton”, tha Rama.