Frrok Çupi: PD është një repart dhune, kush voton për ta, voton dhunën


Analisti Frrok Çupi ka komentuar zhvillimet e fundit në garën elektorale të 11 majit, duke u ndalur veçanërisht te dhuna e ushtruar nga kandidati i PD-së, Xhelal Mziu. Çupi theksoi se Partia Demokratike është një forcë që ka përdorur dhunën si mjet, duke e cilësuar atë si një “repart dhune”.

“PD është një repart dhune dhe kush ka votuar për ta, ka votuar dhunën,” deklaroi Çupi. Ai shtoi se ka kaluar shumë kohë që politika shqiptare të thotë stop dhunës dhe të ndalojë përdorimin e saj si mjet për arritjen e qëllimeve politike.

Analisti theksoi se kandidatura e Mziut është një reflektim i mentalitetit të dhunshëm që ka karakterizuar shumë herë Partinë Demokratike.

Këta janë zgjedhur si kandidatë për besnikërinë ndaj njeriut më të dhunshëm,” tha Çupi, duke përmendur thirrjet e Mziut në zgjedhjet e kaluara që pasuan vrasjen e kandidatit në Elbasan.

Ai vlerësoi se Partia Demokratike ka qenë shpesh herë e përshkruar si një strukturë paramilitaro-militariste dhe ka një lidhje të fortë me dhunën në politikë.

Sipas Çupit, problemi më i madh për Shqipërinë nuk janë vetëm individët si Mziu, por institucioni i dobët i shtetit, që nuk ka treguar forcë për të luftuar abuzimet dhe dhunën. Ai paralajmëroi se, edhe pse Mziu është paraqitur në SPAK, “do të dalë i palagur”, ashtu si shumë persona të tjerë që kanë shpëtuar nga hetime të mëdha, përfshirë rastin e Gaz Bardhit në Elbasan.

“Problemi nuk janë individët, por shteti i dobët që nuk merr masa ndaj atyre që përdorin dhunën në politikë,” tha Çupi.