Një zyrtar i lartë ushtarak rus është vrarë në një shpërthim me makinë pranë Moskës, vetëm disa orë para një takimi në Kremlin mes presidentit Vladimir Putin dhe të dërguarit të posaçëm të Donald Trumpit, Steve Witkoff.
Autoritetet ruse e identifikuan viktimën si Gjeneral Lejtnant Yaroslav Moskalik, zëvendësshefi i drejtorisë kryesore operative të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse.
Shpërthimi duket se ka ngjashmëri me sulme të mëparshme ndaj zyrtarëve rusë, për të cilat më pas është marrë përgjegjësia nga Ukraina, përjcjell The Guardian.
Ngjarja mund të errësojë bisedimet e së premtes mes Moskës dhe Uashingtonit.
Komiteti Hetimor rus deklaroi se shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes i improvizuar, i mbushur me copëza metali. Organi hetimor, që merret me krime të rënda, ka hapur një çështje penale.
Sipas kanalit Baza në Telegram, që ka burime në agjencitë ruse të zbatimit të ligjit, bomba ishte vendosur në një makinë të parkuar në qytetin Balashikha, në rajonin e Moskës, dhe u aktivizua në distancë kur Moskalik, i cili banonte aty pranë, kaloi përpara.
Një video që qarkullon në rrjetet sociale ruse kap momentin e shpërthimit të makinës, ndërsa imazhe të tjera tregojnë automjetin tërësisht të djegur.
Kievi nuk ka komentuar ende mbi incidentin.
Operacioni më i fundit i dyshuar ukrainas vjen në një moment të ndjeshëm për administratën Trump, e cila është nën presion për të treguar përparim konkret në përpjekjet për paqe përpara 100-ditorit të parë të presidencës.
Megjithëse Putin refuzon një armëpushim dhe vazhdon me sulmet raketore ndaj Ukrainës, presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht Volodymyr Zelenskyy-n për dështimin e bisedimeve të paqes, ndërsa ka mbajtur një qëndrim më të përmbajtur ndaj liderit rus.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, Ukraina ka pasur në shënjestër dhjetëra zyrtarë ushtarakë rusë dhe funksionarë të instaluar nga Rusia, të cilët Kievi i akuzon për krime lufte.
Megjithatë, dihet pak për qelizat sekrete të rezistencës ukrainase që qëndrojnë pas vrasjeve dhe sulmeve ndaj infrastrukturës ushtarake në Rusi dhe në territoret e pushtuara.
Në dhjetor të vitit të kaluar, shërbimet e sigurisë ukrainase vranë një tjetër gjeneral të lartë rus pas shpërthimit të një bombe të fshehur në një skuter elektrik jashtë një ndërtese banimi në Moskë.
Në atë kohë, Keith Kellogg, i dërguari i atëhershëm i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, kritikoi vrasjen e Gjeneral Lejtnant Igor Kirillovit, duke thënë se ajo mund të përbënte shkelje të rregullave të luftës.
Përveç figurave ushtarake, Ukraina ka pasur në shënjestër edhe propagandistë të shquar pro-luftës në Rusi, përfshirë Darya Duginën, vajzën e ideologut ultra-nacionalist rus Alexander Dugin, e cila u vra në vitin 2023 kur shpërtheu makina Toyota Land Cruiser që ajo po drejtonte.
Gjenerali Moskalik, 59 vjeç, ka qenë pjesë e disa delegacioneve të profilit të lartë të Rusisë në vitet e fundit, përfshirë dy raunde bisedimesh me Ukrainën dhe zyrtarë perëndimorë në vitet 2015 dhe 2019, si dhe një vizitë në regjimin e Assadit në Siri në vitin 2018.
Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes ruse thonë se ndikimi i tij në hierarkinë ushtarake ishte në rritje.
Blogeri ushtarak rus Mikhail Zvinchuk, i lidhur me strukturat e mbrojtjes, shkroi: “Sipas bisedave të brendshme, një nga skenarët për ristrukturimin e stafit të përgjithshëm përfshinte Moskalik si kandidat për të udhëhequr qendrën kombëtare të menaxhimit të mbrojtjes, kryesisht për shkak të qasjes së tij metodike dhe mendjemprehtësisë.”