Kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë, Klevis Balliu, ka drejtuar akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me mënyrën e menaxhimit të financave publike, duke denoncuar mungesën e investimeve në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si rinia dhe infrastruktura.
Balliu vuri në pikëpyetje mënyrën e alokimit të buxhetit të shtetit, duke përmendur projekte të diskutueshme si inceneratorët.
“Shqipëria ka para pafund për inceneratorin që nuk ekziston, por nuk paska para për të rinjtë. Pse nuk ka para për të rinjtë, por ka për Belinda Ballukun? Pse nuk ka para për Shqipërinë, por ka për Edi Ramën?”, tha ndër të tjera.
Sipas Balliut, një nga përgjegjësit kryesorë për këtë situatë është Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën tha se menaxhon 75% të buxhetit të shtetit, por nuk arrin të justifikojë as 1% të tij me rezultate konkrete.
Ai e quajti gjendjen aktuale të infrastrukturës në vend “një skandal”, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe keqmenaxhim të fondeve.
“Rrugët e saj janë skandal,” shtoi Balliu, ndërsa nënvizoi se miliardat që shpërndahen për projekte nuk përkthehen në përmirësim real për qytetarët.