Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar nga Ivi Kaso në SPAK, duke hedhur poshtë akuzat lidhur me punësimet dhe investimet publike gjatë periudhës zgjedhore.
Topçiu ka theksuar se nuk ka pasur mundësi të lexonte materialin e kallëzimit, por ka ofruar detaje mbi procedurat që janë ndjekur nga ana e tij dhe institucioneve të bashkisë.
“Bashkëpunëtorët e mi më kanë çuar diçka, por nuk e kam lexuar materialin dhe nuk jam njohur me të. Nga ajo që më kanë treguar, bëhet fjalë për dy momente: punësime gjatë periudhës zgjedhore dhe investime publike në territor,” tha ai.
Në lidhje me akuzat për punësime, Topçiu ka sqaruar se me një urdhër të tij janë pezulluar të gjitha punësimet e reja, një informacion që mund të verifikohet në institucionin e Bashkisë. Sipas tij, investimet publike që po realizohen janë të miratuara nga Këshilli i Bashkisë në vitin 2024 dhe kanë kaluar të gjitha procedurat standarde dhe miratimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike, që siguron bazueshmërinë ligjore të çdo projekti.
Ai shtoi: “Në konceptin tim, institucionet tona duhet të punojnë sipas miratimit që Këshilli i Bashkisë ka bërë dhe pas miratimeve të Agjensisë së Prokurimeve Publike.”
Sa i përket akuzave për favorizim politik, Topçiu theksoi se investimet janë të shpërndara në të gjithë territorin e bashkisë dhe nuk kanë asnjë orientim politik. Ai përmendi një investim trevjeçar për periudhën 2025-2027, të miratuar nga Këshilli i Bashkisë dhe Prefekti, duke siguruar se të gjitha procedurat janë ndjekur në përputhje me ligjin.
“Ne nuk bëjmë rrugë për të majtë apo për të djathtë, bëjmë rrugë kudo në të gjithë bashkinë. Le ta shikojnë komunitetet tona sa të vërtetë jemi për këtë pjesë,” tha ai, duke kërkuar që institucionet përkatëse të verifikojnë ligjshmërinë e investimeve dhe punësimeve të realizuara.