Kryedemokrati Berisha tha sot se me 11 maj do i shtypet koka Ramës njësoj siç ndodhi me Sorosin në SHBA më 5 nëntor 2024, kur Donald Trump u zgjodh president.
Gjatë një takimi fushate në Kavajë, ai tha se PD-ja është parti e traditës familjare, konservatore dhe me integritet. Berisha akuzoi Ramën për 12 vjet qeverisje të dështuar.
“Shikoni në krahun tjetër, në 12 vite, ka një rekord me dështime dhe nuk ka rekord me arritje, ka vetëm vjedhje. Nuk ka rekord dhe përpiqet ta kalojë me batuta, me desintegrimin e familjes, me sulmin ndaj familjes, përpiqet të grabisë vota. Ne jemi parti e traditës familjare, konservatorë, me integritet. I them Ramës se përpjekjet e tua qesharake, banale, të padenja, për të krijuar skeçe me gra kundër burrave dhe burra kundër grave janë turpi i dheut, ndaj garantoj se më 11 maj, Edi Rama i shtypet koka dhe bishti në Shqipëri! Më 5 nëntor iu shtypkoka Sorrosit, më 11 maj do i shtypet koka Ramës. Do përfundojë në katakombet e historisë, Shqipëria nën shembullin e Kavajës do ngrihet në një udhëtim të ri, drejt të ardhmes, drejt Europës.” – tha Berisha.