Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar një platformë të zgjeruar për reformimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në vend, gjatë një takimi me studentët e Fakultetit të Mjekësisë. Ai e cilësoi këtë plan si një “prioritet kombëtar”, me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve.
Në qendër të platformës është dyfishimi i buxhetit për shëndetësinë dhe arsimin, si dhe rritja e ndjeshme e pagave në këta sektorë. Berisha premtoi një pagë minimale prej 1500 eurosh për mësuesit dhe fundin e periudhës kur mjekët dhe infermierët paguhen në mënyrë të padenjë.
Për të adresuar mungesën në rritje të personelit mjekësor, ai paralajmëroi hapjen e një fakulteti të dytë të mjekësisë dhe rritjen e kuotave të pranimit.
“Eksodi i mjekëve ka sjellë një shterrim të frikshëm të burimeve njerëzore në sistemin shëndetësor,” u shpreh Berisha.
Një tjetër element kyç i planit është ndarja e qartë mes sektorit publik dhe atij privat në shëndetësi. Berisha denoncoi, siç i quajti, “bashkëpunimet mafioze” që sipas tij kanë dëmtuar rëndë sistemin publik, duke bllokuar përdorimin e aparaturave moderne në spitalet shtetërore.
Ai premtoi gjithashtu barazi në qasjen ndaj barnave, duke deklaruar se lista e barnave të rimbursueshme do të jetë identike me atë të Italisë dhe se në Shqipëri nuk do të lejohet shitja e ilaçeve që nuk janë të certifikuara në të paktën dy vende të Bashkimit Evropian.
Në fund, Berisha kritikoi ashpër Ministrinë aktuale të Shëndetësisë, duke e cilësuar si “drejtimin më injorant dhe të paskrupullt në historinë e vendit”, dhe u shpreh se edhe në periudha të vështira, drejtuesit kishin “integritet dhe dije”.