Kandidati i PD-së në Dibër Xhelal Mziu ka akuzua Policinë e Shteti për manipulim të opinionit publik lidhur me një video të shpërndarë në media lidhur me përplasjen e ndodhur gjatë një takimi fushate në Ostren të Dibrës.
Ai shkruan se videoja e shpërndarë nga policia në media tregon Jeton Danin që dhunon kreun e PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjani, i ndihmuar edhe nga zyrtarë të tjerë socialistë.
Më tej Mziu shkruan se videoja është provë për policinë dhe për SPAK-un. Ai thekson më tej se në videon e shfaqur nuk është ai dhe as nuk është episodi për të cilin janë ngritur akuza duke akuzuar policinë për fabrikimin e tyre.
Në fund Mziu i bën thirrje SPAK-ut që të hetojë ngjarjen dhe të çojë para drejtësisë autorët.
“Vijojnë sulmet dhe përdorimi politik i Policisë së Shtetit me shpërndarjen dhe manipulimin e opinionit publik, duke deformuar ngjarjen kriminale të dhunimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste, Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së.
Kjo është një provë e pastër për Policinë e Shtetit dhe për SPAK, e cila, në vend që të përdoret për të vënë në pranga dhunuesit e kreut të PD-së, Shaqir Manjani, shpërndahet për opinionin publik sikur protagonisti jam unë!
Sqaroj mediat dhe qytetarët se në atë video as nuk jam, e as nuk është episodi për të cilin fabrikon akuza Policia e Rilindjes, por është dhuna barbare e Jeton Danit, babait të kandidatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, për të cilën Policia e Shtetit refuzoi të pranonte denoncimin!
Apeloj mediat të bëjnë saktësimin e nevojshëm dhe të mos përdoren nga fabrikimet kriminale të Rilindjes! Apeloj SPAK-un që të marrë menjëherë masa për ndalimin e dhunuesve, vendosjen e tyre përpara ligjit, bashkë me autorët e manipulimit të provave për përfitime politike!
Edhe njëherë garantoj qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë qarkut të Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe Policisë së Shtetit nuk do të na trembin e as nuk do të na ndalin drejt fitores së sigurt më 11 maj!” – shkruan Mziu në Facebook.