Rama nga Shkodra: Taksa zero për biznesin e vogël deri në 2029, pa TVSH deri në 100 mijë euro


Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me biznesin e vogël në Shkodër deklaroi se qeveria është në diskutime për të sjellë elementë të industrisë ushtarake në këtë qytet, ndërsa premtoi mbështetje të vazhdueshme për biznesin e vogël përmes politikave fiskale lehtësuese.

“Jemi në diskutime për të sjellë edhe një element të industrisë ushtarake në Shkodër, në periferi, që do të ishte mirë për punësimin, por edhe për profesionistët e rinj”, u shpreh Rama.

 Ai theksoi se industria ushtarake përfaqëson një nivel të lartë përgatitjeje dhe shpërblimi për punonjësit, në kontrast me modelin fason që ka karakterizuar tranzicionin.

Në vijim, kreu i qeverisë theksoi se biznesi i vogël do të vijojë të jetë me taksa zero deri në vitin 2029, ndërsa tavani prej 140 mijë euro do të mbetet i pandryshuar. Gjithashtu, bizneset me xhiro deri në 100 mijë euro do të përjashtohen nga TVSH-ja.

Janë rreth 700 milionë euro që i janë lënë biznesit të vogël dhe nuk i janë marrë arkës së shtetit. Pa llogaritur 140 milionë euro në vit që u janë lënë punonjësve nga ndryshimi i sistemit fiskal, duke kaluar nga taksa e sheshtë 10% në taksën progresive. Në fashën që përfshin 98% të punonjësve, taksa është ose zero, ose vetëm 10%”, theksoi Rama.

Ai shtoi se qeveria po punon për një skemë të re që do të ndihmojë bizneset që kalojnë mbi tavanin prej 140 mijë eurosh të mos penalizohen, por të kenë mundësi të deklarojnë të ardhurat realisht pa qenë të detyruar të fshihen.

“Nuk do të prekim tavanin, sistemi do të mbetet i njëjtë. Jemi duke përgatitur një periudhë lehtësie për ata që kalojnë mbi 140 mijë euro, por këtë duhet ta konsultojmë. Duam t’u japim mundësi të deklarojnë më shumë, që të mos kenë arsye të shmangin detyrimet”, tha ai.