Kreu i partisë Djathtas 1912 Aliebeaj dhe ai i LZHK-së Dash Shehi kanë zbritur në terren për të bërë fushatë fër zgjedhjet e 11 majit.
Dyshja u takua me qytetarë e tregtarë në zonën e ish-tregut elektrik në Tiranë.
Alibeaj e Shehi janë bashkë në koalicionin “Djathtas për Zhvillim” ndërsa shprehën ambicien e tyre për të marrë të paktën një mandat.
“Nuk do bëjmë hata, por hapa të vogla përpara. Mund të marrim 1, por edhe 5, pa mandate nuk dalim. Ne besojmë se 20-30% e shqiptarëve këtë radhë do të votojnë ndryshe dhe ky është një shans i madh për Shqipërinë, e këtyre më të rinjve se unë.” – tha Shehi.
Ai akuzoi PS-në e PD-në se janë bashkë dhe punojnë e bëjnë ligje për interesa të përbashkëta, me qëllimin për të ruajtur status-quo-në në politikë.
“Në mënyrë simetrike ata mbështesin njëri-tjetrin, e nuk duan lojtarë të rinj në fushë. Që kur bën këtë ligj, këtë lloj marrëveshje mes dy palëve, qytetarët duhet ta kuptojnë se këta janë bashkë. Kundërshtarë kanë ata që duan ndryshim, ky është realiteti. Mund të mos e kuptojnë të gjithë sot, për inerci do vazhdojnë të votojnë por pasaporta europiane është një mirazh bosh pa vlerë. S’shoh gjë tjetër. Nga krahu tjetër shoh premtime madhështore, por nuk e di si mund të bëhen këto punë.” – shtoi Shehi.
Për Alibeajn, As Rama dhe as Berisha nuk do jenë kryeministra e zgjedhjet e 11 majit do jenë fundi i tyre.
“Edi Rama të mos jetë kryeministër, Sali Berisha jo e jo, më duket 11 maji do të jetë fundi i tyre. Disfatë e brendshme që po ju ndodh. Vazhdojnë me klishetë e vjetra të dala boje. Parashikoj që më 11 maj do të ketë një çlirim të energjisë dhe sukses të partive të reja.” – tha Alibeaj.