Tensionet Indi-Pakistan pas sulmit në Kashmir, pezullohet traktati i ndarjes së ujit


India dhe Pakistani anuluan vizat për shtetasit e njëri-tjetrit, ndërsa Islamabad paralajmëroi Nju Delhin për pezullimin e një traktati të rëndësishëm për ndarjen e ujit, të enjten.

Këto zhvillime vijnë pas një sulmi vdekjeprurës të së martës në Kashmir, ku persona të armatosur vranë 26 civilë. India fajësoi Pakistanin për sulmin dhe njoftoi se të gjitha vizat e lëshuara për shtetasit pakistanezë do të revokohen nga e diela. Gjithashtu, u kërkua që të gjithë pakistanezët aktualisht në Indi të largohen para përfundimit të afatit të vizave të tyre, sipas një afati të rishikuar.

Përveç kësaj, India njoftoi shkurtimin e numrit të stafit diplomatik, mbylljen e të vetmit kalim kufitar tokësor funksional mes dy vendeve, si dhe pezullimin e një marrëveshjeje vendimtare për ndarjen e ujit.

Si kundërpërgjigje, Pakistani mbylli hapësirën e tij ajrore për të gjitha linjat ajrore indiane ose në pronësi indiane dhe pezulloi të gjithë tregtinë me Indinë, përfshirë edhe tregtinë përmes vendeve të treta.

Sulmi ishte më i rëndi në vite në rajonin e trazuar të Kashmirit, i cili ka qenë skenë e rebelimeve kundër Indisë për më shumë se tre dekada. Ngjarja shkaktoi tronditje dhe zemërim në Indi, me qytetarët që bënë thirrje për veprime kundër Pakistanit, të cilin e konsiderojnë armikun kryesor të vendit.

India pretendon se sulmi kishte lidhje ndërkufitare me Pakistanin, megjithëse nuk ka ofruar prova publike për të mbështetur këtë akuzë. Nga ana tjetër, Pakistani ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e mori një grup militant i panjohur më parë, i quajtur “Rezistenca e Kashmirit”.

Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Pakistanit dënoi “masat luftarake” të Indisë dhe deklaroi se ndërsa vendi mbetet i përkushtuar ndaj paqes, nuk do të lejojë askënd të shkelë sovranitetin dhe të drejtat e tij të patjetërsueshme.

Ministrat e të dy vendeve kanë lënë të kuptohet për mundësinë e përshkallëzimit në veprime ushtarake. Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, deklaroi se “çdo hap kinetik nga India do të ketë një përgjigje kinetike”. Ndërkohë, Ministri Indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh, u zotua për ndjekjen e autorëve dhe organizatorëve të sulmit, duke lënë të hapur mundësinë për sulme ushtarake.

Të dy vendet kontrollojnë pjesë të Kashmirit, por secila pretendon të gjithë territorin. Nju Delhi e konsideron militantizmin në Kashmir si terrorizëm të mbështetur nga Pakistani, ndërsa ky i fundit e mohon dhe shumë myslimanë të Kashmirit e shohin luftën si përpjekje për liri.

Presioni i brendshëm në Indi është shtuar ndaj qeverisë nacionaliste të kryeministrit Narendra Modi për një reagim të ashpër. “India do të identifikojë, ndëshkojë dhe ndjekë çdo terrorist dhe mbështetës të tyre,” deklaroi Modi në një tubim. “Do t’i ndjekim ata deri në skajet e tokës,” paralajmëroi ai.

Qeveria indiane ndërmori një sërë masash diplomatike, përfshirë dëbimin e diplomatëve pakistanezë dhe tërheqjen e diplomatëve të saj nga Pakistani. Të dyja misionet do të reduktojnë stafin nga 55 në 30 persona deri më 1 maj, dhe do të mbyllet i vetmi kalim tokësor funksional mes vendeve.

Ministria e Jashtme e Indisë paralajmëroi qytetarët që të mos udhëtojnë në Pakistan dhe u kërkoi atyre që ndodhen atje të kthehen sa më parë.

India pezulloi gjithashtu një traktat historik për ndarjen e ujit që ka funksionuar për dekada, përfshirë edhe gjatë dy luftërave në vitet 1965 dhe 1971, si dhe përplasjes së madhe kufitare të vitit 1999.

Traktati i Ujit të Indusit, i ndërmjetësuar nga Banka Botërore në vitin 1960, siguron ndarjen e ujërave të një sistemi lumor që është jetik për të dyja vendet, veçanërisht për bujqësinë e Pakistanit. Pakistani reagoi me zemërim dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për të devijuar apo ndaluar rrjedhën e ujit do të konsiderohej “akt lufte” dhe do të përballej me “forcën e plotë të fuqisë kombëtare”.

Në Pakistan, dhjetëra qytetarë protestuan në disa qytete, përfshirë edhe përpara Komisionit të Lartë Indian në Islamabad, duke dënuar pezullimin e traktatit dhe duke kërkuar hakmarrje nga qeveria e tyre.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e AP

Përshtati për Hashtag.al Aurora Hoxha