Trump fillon të shesë kapele elektorale për 2028-ën, nis të mendojë për mandatin e tretë


Presidenti amerikan Trump ka nisur një linjë të re të mallrave “TRUMP 2028”, duke nxitur spekulimet se ai synon të kërkojë një mandat të tretë në detyrë.

Kapelat e bejsbollit, tani të disponueshme përmes dyqanit zyrtar të fushatës Trump, shfaqin emrin e Trump dhe vitin 2028 të qëndisur me shkronja të zeza, duke evokuar pamjen ikonë “Make America Great Again”. Dyqani ofron gjithashtu bluza në ngjyrën e kuqe klasike dhe blu të kaltër me të njëjtin slogan – së bashku me një premtim për “Rishkrimin e Rregullave”.

Muajin e kaluar, Trump tha se ai “nuk po bën shaka” në lidhje me mundësinë n e kërkimit të një mandati të tretë, duke pretenduar se ka “metoda” për një tjetër kandidim pavarësisht kufirit prej dy mandatesh të Kushtetutës së SHBA për presidencën, shkruan Rt.

I pyetur nga NBC Neës në lidhje me një skenar hipotetik në të cilin zëvendëspresidenti J.D. Vance mund të kandidonte dhe më pas t’ia dorëzonte zyrën atij, Trump u përgjigj: “Kjo është një. Por ka edhe të tjerë”.

Megjithëse Trump vuri në dukje se “është shumë herët për të menduar” për vitin 2028, shpërndarja e mallrave ka rindezur spekulimet për planet e tij të ardhshme. Dyqani i fushatës ka paralajmëruar deri në dhjetë ditë pune kohë përpunimi për shkak të “kërkesës së lartë”.

Trump fitoi zgjedhjet e vitit 2024 me një diferencë të madhe kundër kandidates demokrate dhe nënpresidentes së atëhershme Kamala Harris, duke u bërë presidenti i dytë në historinë e SHBA që shërben dy mandate jo të njëpasnjëshme.

Amendamenti i 22-të thotë se asnjë person nuk mund të zgjidhet në detyrën e presidentit më shumë se dy herë. Megjithatë, aleatët e Trump kanë paraqitur argumente ligjore që sfidojnë ose interpretojnë formulimin e amendamentit, duke lënë të kuptohet për strategjitë e mundshme ligjore ose politike për të hapur rrugën për një kandidim të tretë.