Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka deklaruar për BBC-në se Ukraina mund të detyrohet të dorëzojë territore si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, në mes të presioneve në rritje nga presidenti amerikan Donald Trump për të pranuar lëshime territoriale.
“Një nga skenarët është… të dorëzojmë territor. Nuk është e drejtë. Por për paqen, për një paqe të përkohshme, ndoshta kjo mund të jetë një zgjidhje, e përkohshme”, u shpreh Klitschko.
Megjithatë, ish-kampioni i botës në boks dhe aktualisht politikan, 53-vjeçari theksoi se populli ukrainas “kurrë nuk do ta pranojë pushtimin” nga Rusia.
Deklarata e tij vjen vetëm disa orë pas një sulmi me raketa dhe dronë rusë në Kiev, që la të vrarë 12 persona dhe plagosi mbi 80 të tjerë – një nga sulmet më të rënda në kryeqytetin ukrainas në muajt e fundit.
Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022, dhe forcat e tij aktualisht kontrollojnë rreth 20% të territorit të vendit.
Klitschko është një ndër figurat më të larta politike në Ukrainë që sugjeron publikisht se vendi mund të detyrohet të dorëzojë territor – megjithëse, sipas tij, kjo do të ishte një zgjidhje e përkohshme.
Ai ka një marrëdhënie të tensionuar me presidentin Volodymyr Zelensky dhe shpesh e ka akuzuar kreun e shtetit dhe ekipin e tij se po përpiqen të minojnë autoritetin e tij në kryeqytet.
Duke folur për emisionin Today në BBC Radio 4 nga zyra e tij në qendër të Kievit të enjten, Klitschko tha se ishte “përgjegjës për kryeqytetin e Ukrainës”, të cilin e përshkroi si “zemrën” e vendit të shkatërruar nga lufta.
Ai pranoi se Zelensky mund të detyrohet të pranojë një “zgjidhje të dhimbshme” për të arritur paqen.
I pyetur nëse Zelensky ka diskutuar me të ndonjë detaj për një marrëveshje të mundshme, Klitschko u përgjigj prerazi: “Jo.”
“Presidenti Zelensky e bën vetë. Nuk është funksioni im”, shtoi ai.
Duke iu referuar përplasjes së bujshme mes Zelenskyt dhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, kryebashkiaku sugjeroi se çështje kaq të ndjeshme duhet të diskutohen “pa kamera”.
Më herët gjatë kësaj jave, Trump e akuzoi Zelenskyn për pengimin e bisedimeve të paqes, pasi ky i fundit përsëriti refuzimin e tij për të njohur kontrollin rus mbi Krimenë – gadishullin jugor të Ukrainës që u aneksua ilegalisht nga Moska në vitin 2014.
Trump deklaroi se “Krimea është humbur vite më parë” dhe se “nuk është më as pjesë e diskutimit”.
Por Zelensky i rikujtoi një deklaratë të vitit 2018 nga sekretari i atëhershëm amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ku SHBA “e refuzon përpjekjen e Rusisë për aneksim”.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë janë gjithnjë e më të shqetësuar për ngrohjen e marrëdhënieve mes Trumpit dhe Rusisë së Vladimir Putinit – një zhvillim që po shihet me alarm në shumë kryeqytete evropiane.