Xi shpall plan për të përballuar luftën tregtare me SHBA – mund të hiqen tarifat për disa produkte amerikane


Në një mbledhje të Komitetit Politiko-Burok, Xi Jinping ka prezantuar një plan për të adresuar problemet ekonomike të Kinës dhe ndikimet e luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që raportohet se Kina mund të heqë tarifat për disa produkte amerikane, përfshirë semikonduktorët.

Kina ka përjetuar një periudhë të vështirë ekonomike që prej pandemisë, e cila është përkeqësuar nga një krizë në sektorin e pasurive të paluajtshme, papunësia rinore dhe tarifat e vendosura nga Donald Trump për të gjitha eksportet kineze.

Sipas një raporti të medies shtetërore Xinhua, ekonomia kineze ka treguar një “tendencë pozitive” në vitin 2025, por “ndikimi i tronditjeve të jashtme është rritur”, përcjell The Guardian.

Përmes një deklarate, autoritetet kineze theksuan nevojën për të “forcuar mendimin për kufirin më të ulët”, duke u përgatitur për mundësi emergjente dhe duke punuar për një plan të qëndrueshëm ekonomik.

Kjo do të përfshijë masat për mbështetje të bizneseve dhe shtimin e shpenzimeve për sigurinë e papunësisë.

Në një tentativë për të zbutur pasojat e tarifave të Trump, Kina ka nisur të shqyrtojë heqjen e tarifave për disa produkte amerikane, përfshirë pajisje mjekësore dhe semikonduktorë. Raportet thonë se disa produkte do të mund të kenë tarifa më të ulëta ose të përjashtohen plotësisht nga detyrimet doganore.

Në të njëjtën kohë, tregjet financiare të rajonit Azi-Pacifik kanë reaguar pozitivisht ndaj këtyre zhvillimeve, ndërsa shpresa për një zbutje të tensioneve tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës është rritur.

Trump ka deklaruar se tarifat ndaj Kinës do të “bijnë ndjeshëm”, por nuk do të arrihet një heqje totale.

Pavarësisht përpjekjeve të dy vendeve për të zbutur tensionet, qëndrimet e ndryshme në lidhje me bisedimet tregtare dhe tarifat vazhdojnë të përbëjnë një pengesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve tregtare.