Një 38-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në dhunimin e Krist Fufit, djalit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes (25 prill) në një rezidencë në zonën e Farkës, në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, shtetasi me inicialet K. S., 38 vjeç, ka goditur me grushte dhe ka kanosur 19-vjeçarin K. F., i cili ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasin K. S. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konflikt,” thuhet në deklaratën e policisë.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas burimeve policore, disa persona kanë mbërritur me makinë në lokalin ku po qëndronte Krist Fufi. Ata kanë marrë nga bagazhi i automjetit shkopinj dhe sende të forta, dhe kanë hyrë në ambientet e lokalit për të kërkuar të riun. Pasi e kanë gjetur, e kanë sulmuar fizikisht.
Dyshohet se një prej agresorëve ka mbajtur edhe një armë zjarri në dorë, por nuk ka qëlluar. Krist Fufi ka pësuar dëmtime në kokë dhe trup, ndërsa është transportuar menjëherë në spital.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.