Pas aplikimit të tarifave nga SHBA, kanë nisur të ndihen edhe ndikimet e para pozitive në tregjet shqiptare, kryesisht në shtimin e volumit të tregtisë së produkteve të peshkut për një nga operatorët kryesorë të tregut.
Gjergj Luca, drejtues i kompanisë “Rozafa sh.p.k.”, ndër më të mëdhatë e importit dhe eksportit të produkteve të detit, tha për “Monitor” se në fillim të aplikimit të tarifave, efektet janë pozitive, me rritje në vlerë të eksporteve të produkteve të peshkut deri në 40%.
Rritja e eksporteve, sipas tij, u ndikua nga tarifa 10% që aplikohet për Shqipërinë kundrejt nivelit më të lartë të aplikuar për shtetet e BE-së dhe Meksikës.
“Konkurrentët tanë kryesorë në tregun amerikan për produktet e peshkut janë vendet e BE-së dhe Meksika. Aplikimi i tarifave për produktet e peshkut të këtyre shteteve drejt tregut amerikan është më i lartë se tarifa për Shqipërinë.
Për Meksikën, tarifa është në nivelin prej 25%. Kjo ka sjellë shtimin e eksporteve në vlerë që në javën e parë. Konkretisht, e dhënë në shifra, para tarifave eksportet e produkteve të peshkut të kompanisë ishin me vlerë mbi 150 mijë USD.
Pas tyre, vlera e eksporteve ka arritur 220 mijë deri në 250 mijë USD. Një rritje prej 40%”.
Në muajin qershor, kompania “Rozafa sh.p.k.” pritet të nisë shpërndarjen e produkteve të peshkut në shtete të SHBA-së si Nju Jork apo Nju Xhersi, nëpërmjet magazinave të ngritura prej saj.
Produktet e kompanisë në tregun amerikan do të shpërndahen prej saj falë investimit në zinxhirin e shpërndarjes me ngritjen e pikave të magazinimit në SHBA.
Tregtia e produkteve të peshkut drejt SHBA-së ka nisur të lulëzojë prej vitit 2021, e ndikuar veçanërisht nga eksporti i peshkon ton, pas ngritjes së fermës për kultivimin e tij në Sarandë.
Eksportet e grupit “peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme” në vitin 2024, drejt SHBA-së, arritën në vlerën e 119,5 milionë lekëve sipas të dhënave të INSTAT.
Krahasuar me 2023, eksportet u shtuan me 21%, e ndikuar kryesisht nga tregtia e peshkut të freskët ton nga Shqipëria drejt SHBA-së.
Eksportet e grupit “peshku dhe kafshët guackore të nënujshme” në vitin 2024 drejt shteteve të tjera arritën në vlerën e 6,7 miliardë lekëve. Krahasuar me 2023, eksportet ranë rreth 11%.
Nga Shqipëria, eksportohen më tepër produkte peshku të importuara, të cilat dërgohen për eksport si produkte të përpunuara.
Peshën kryesore të eksporteve e zënë ato drejt Italisë me rreth 72% të totalit, e ndjekur nga Spanja, me 14%. Në tregjet si Mali i Zi dhe SHBA, pesha e eksporteve të produkteve të peshkut është secila 2%.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor