Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me banorë në lagjen Laprakë në Tiranë, ku vijoi akuzat ndaj qeverisë dhe veçanërisht ndaj ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “lubinë e rrugëve”.
Berisha deklaroi se Balluku nuk ka kryer asnjë kontroll për pesë vite me radhë mbi projektet infrastrukturore, duke shtuar se kjo ishte një lëvizje e qëllimshme për të mbuluar vjedhjet që, sipas tij, përfitonin Edi Rama dhe Erion Veliaj.
“Lubia që duhej të kontrollonte punimet, nuk e bëri për 5 vite. E dinte se paratë përfundonin te bosi i saj, Edi Rama, dhe te Veliaj,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se vila luksoze e kryeministrit në Surrel, përdorimi i avionëve privatë dhe zhdukja e fondeve për inceneratorin e Tiranës janë sipas tij prova të qarta të korrupsionit qeveritar.
“Ka prova më të mëdha të vjedhjes nga Edi Rama se vila në Surrel me kopsht 800 metra katrorë? Djegësi i Tiranës – 130 milionë euro të zhdukura dhe asnjë tullë në themel,” tha Berisha.
Ish-kryeministri u ndal edhe te krahasimet me projektet infrastrukturore në rajon, duke theksuar: “Në Kroaci 70 km rrugë u ndërtuan me 26 milionë euro, ndërsa këtu, një kilometër me 16 milionë euro.”