Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me banorët e Laprakës në Tiranë, ka sulmuar ashpër nismën e propozuar nga Partia Socialiste për paqen fiskale, duke e cilësuar atë si një “parajsë për botën e krimit” dhe një padrejtësi të hapur ndaj qytetarëve të ndershëm. Ai deklaroi se me ardhjen e PD në pushtet, nuk do të lejohet më që në kurriz të qytetarëve të pasurohet një grusht njerëzish të lidhur me krimin.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se kjo paqe fiskale është thjesht një mënyrë për të legalizuar paratë e drogës dhe të klaneve mafioze, të cilat, sipas tij, po përdoren për ndërtimin e kullave dhe për të blerë ndikim në ekonomi. Ai akuzoi qeverinë se me këtë politikë po ndëshkon qytetarët që punojnë ndershëm, ndërsa favorizon kriminelët. Sipas tij, pasojat ekonomike tashmë janë ndjerë, pasi qarkullimi i narkoeuros ka sjellë një rënie drastike të vlerës së euros në tregun shqiptar, duke dëmtuar rëndë bizneset eksportuese dhe duke shtyrë shumë sipërmarrje drejt falimentit.
Berisha premtoi se një qeveri e drejtuar nga Partia Demokratike do të anulojë të gjitha gjobat e vendosura ndaj qytetarëve deri më 12 maj, si dhe do të marrë masa për uljen e çmimit të energjisë për biznesin dhe familjet. Ai gjithashtu u zotua se tarifat e ujit do të përgjysmohen, ndërsa taksa e vendosur nga bashkia për arsimin do të hiqet menjëherë. Sipas tij, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të vendosin taksa apo tarifa që kalojnë 1% të xhiros së bizneseve.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha theksoi se me ardhjen në pushtet të PD-së do të vendoset ligji mbi të gjitha dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje me bandat kriminale.
“Me krimin nuk ka paqe, ka vetëm drejtësi. Ne do t’i japim fund arrogancës dhe abuzimit që ka përjetuar qytetari shqiptar,” deklaroi ai.