Dhjetëra agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe prokurorë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë mbërritur këtë fundjavë në Elbasan, duke ngritur një prani të pazakontë në qytet në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Lëvizjet e tyre janë vënë re nga qytetarët, ndërsa ky është angazhimi më i madh i strukturave të drejtësisë që nga nisja e fushatës elektorale. Qarku i Elbasanit konsiderohet një nga zonat më të ndjeshme për integritetin e procesit zgjedhor dhe aktualisht ndodhet ndër më të mbikëqyrurit në nivel kombëtar.
Operacioni i vëzhgimit nga BKH dhe SPAK po mbështetet edhe nga organizata ndërkombëtare si OSBE, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare. Të gjitha këto struktura janë vënë në gatishmëri të plotë për të garantuar mbarëvajtjen dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor.
Vëmendja e hetuesve është përqendruar në çdo detaj: nga përdorimi i burimeve publike, abuzimi me administratën, qarkullimi i parave të dyshimta, ndikimi i krimit të organizuar deri te tentativat për blerje votash.
Grupi i monitorimit në Elbasan, i kryesuar nga prokurori Olsi Dado, po ndjek në terren zhvillimet në kohë reale, i pajisur me teknologji të avancuar për të dokumentuar çdo shkelje.
Burime zyrtare sqarojnë se kushdo që kapet në shkelje, përfshirë kandidatët për deputetë, rrezikon pasoja të rënda ligjore – që nga humbja e mandatit deri në ndjekje penale.
Në fokus të monitorimit ndodhet edhe media. Autoritetet paralajmërojnë për pasqyrime të rreme dhe lajme të pavërteta që tentojnë të krijojnë panik apo të dëmtojnë imazhin e procesit elektoral. Një prej rasteve të fundit u regjistrua në Librazhd, ku disa portale raportuan për një dhunim të rëndë, ngjarje që më pas rezultoi të ishte e sajuar.