Sot në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan do të zhvillohet ceremonia madhështore e varrimit të Papa Françeskut, i cili më pas do të përcillet në një procesion solemn drejt kishës “Santa Maria Maggiore”, ku do të prehet përgjithmonë. Trupi i Papës do të kalojë nëpër rrugët e Romës, në një itinerar rreth 5 kilometra, gjatë së cilës mijëra qytetarë pritet të i japin lamtumirën e fundit.
Varri i tij do të jetë i thjeshtë, i përbërë nga mermer ligurian, dhe do të mbajë vetëm një kryq dhe mbishkrimin “Françesku”.
Sipas Zyrës së Protokollit të Vatikanit, rreth 130 delegacione janë konfirmuar për të marrë pjesë në funeral, përfshirë 50 krerë shtetesh dhe 10 sovranë mbretërorë. Shqipëria do të përfaqësohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Në mesin e liderëve ndërkombëtarë të pranishëm janë edhe presidenti amerikan Donald Trump me zonjën e parë Melania Trump, Princi William në emër të Mbretit Charles, si dhe kryeministri britanik Keir Starmer. Gjithashtu të pranishëm do të jenë presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Në ceremoninë e sotme do të marrin pjesë edhe emigrantë, refugjatë dhe të varfër, si një simbol i përkushtimit të Papa Françeskut ndaj më të margjinalizuarve të shoqërisë.
Meshën e funeralit do ta kryesojë kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve, i shoqëruar nga qindra përfaqësues të lartë të kishës katolike nga e gjithë bota.
Masat e sigurisë janë në nivelin maksimal. Rreth 2.000 efektivë të policisë do të jenë në terren, ndërsa sistemet kundërdron dhe kundërraketë janë vendosur në gatishmëri për të garantuar sigurinë. Rrugët përreth Vatikanit do të jenë të mbyllura gjatë gjithë ditës së shtunë.
Që nga dita e mërkurë, mbi 150.000 persona kanë kaluar për të përshëndetur Papa Françeskun për herë të fundit në Bazilikën e Shën Pjetrit, e cila qëndroi hapur deri në orët e para të mëngjesit të së premtes. Në mbrëmje pritet të zhvillohet edhe ceremonia e mbylljes së arkivolit në mënyrë private, përpara vendosjes përfundimtare të trupit në varr.