Eno Bozdo me mësuesit në Berat: E ardhmja fillon nga edukimi, nga cilësia e mësimdhënies


Partia Demokratike zhvilloi një takim me mësuesit në qytetin e Beratit, ku i deleguari politik për qarkun, Eno Bozdo, dhe Prof. Myqerem Tafaj prezantuan programin e PD-së për arsimin.

Takimi u zhvillua në kuadër të prezantimeve të programeve zgjedhore të partisë. Bozdo theksoi se “e ardhmja fillon nga edukimi, nga arsimi dhe cilësia e mësimdhënies”, duke nënvizuar sfidat e shumta që ka kaluar ky sektor në 12 vitet e fundit.

“E ardhmja fillon nga edukimi, nga arsimi dhe nga cilësia e mësimdhënies. Në 12 vite arsimi ka kapërcyer sfida të ndryshme, sfida që kanë tejkaluar sferën e vetë sektorit, dhe vështirësi të panumërta.

Reformat e kthyen mbrapsht vendin vite më parë, ka pasur dhe ka probleme të shumta në sistemin arsimor, probleme këto që janë thelluar mjaft me largimin e qytetarëve nga Shqipëria dhe rrjedhimisht braktisjen e shkollës nga nxënësit.

Për fat të keq arsimi është nga ata sektorë që janë shumë hapa të mëdhenj prapa”, – tha Eno Bozdo, duke pohuar se pas 11 prillit gjithçka në sistemin arsimor do të ndryshojë nën drejtimin e Partisë Demokratike, nëpërmjet reformave që janë hartuar prej saj.