Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për hipokrizi në qasjen ndaj grave gjatë fushatës elektorale, duke e cilësuar atë si “feministe në pamje, por mizogjene në thelb”.
Nga konferenca ndërkombëtare “Global She”, ku mori pjesë edhe Forumi i Gruas i CDI-së, Berisha deklaroi se Rama përdor një gjuhë banale dhe nënçmuese ndaj grave, duke theksuar se fjalori i përdorur në fushatë tregon për një qëndrim thellësisht diskriminues.
“Merrni fjalët kyçe të fushatës së tij: çyryk, autik, kënetë, buf… Ky është një fjalor që nuk ka asgjë të përbashkët me respektin ndaj grave. Në fakt, është mizogjen dhe ka rrënjë në doktrina të tejkaluara si ajo e Frojdit”, tha Berisha.
Ai theksoi se përballë kësaj sjelljeje, PD do të promovojë politika konkrete për fuqizimin e grave në biznes, arsim dhe qeverisje.
“Do të krijojmë linja të posaçme krediti për bizneset tuaja. Gratë kanë një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar në shoqëri”, u shpreh Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij, ai u bëri thirrje grave që të angazhohen në ndryshimin politik përmes votës më 11 maj.
“Sikurse përmbysëm një diktaturë 32 vite më parë, le ta bëjmë sërish përmes votës së lirë”, deklaroi ai.a