Udhëheqës botërorë dhe mijëra besimtarë katolikë i dhanë lamtumirën Papa Françeskut në një funeral të shtunën, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj njerëzve në periferi dhe dëshirën për t’u kujtuar si një pastor i thjeshtë.
Pavarësisht pranisë së presidentëve dhe princave në meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, ishin të burgosurit dhe emigrantët ata që e pritën arkivolin e Papës në vendin e tij të fundit të prehjes në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.
Sipas Vatikanit, rreth 250 mijë vetë morën pjesë në meshë, ndërsa 150 mijë të tjerë ndoqën procesionin përmes qendrës së Romës, duke duartrokitur dhe brohoritur “Papa Francesco” ndërsa arkivoli i tij i thjeshtë prej druri kalonte rrugëve të qytetit.
Teksa binin këmbanat, arkivoli u soll përpara një grupi emigrantësh, të burgosurish dhe njerëzish të pastrehë, të cilët mbanin trëndafila të bardhë.
Brenda bazilikës, mbajtësit e arkivolit ndaluan përpara ikonës së Virgjëreshës Mari, të dashur për Papa Françeskun, ndërsa katër fëmijë vendosën trëndafila në rrëzë të altarit, përpara se kardinalët të kryenin ritin e varrimit./AP
Të paktën 400,000 njerëz u mblodhën në qytetin e Vatikanit për funeralin e Papa Françeskut dhe u rreshtuan në rrugë për të parë arkivolin e tij që po dërgohej në kishën Santa Maria Maggiore për varrim, sipas ministrit të Brendshëm të Italisë.
“Ne vlerësojmë jo më pak se 400,000 njerëz midis atyre që janë të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit dhe atyre përgjatë rrugës,” tha Matteo Piantedosi për programin italian të lajmeve TG5, percjell BBC.