Gjykata e Tiranës heq pezullimin nga detyra për drejtorin e AMP-së, Florian Sulejmani


Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur sot heqjen e masës së pezullimit nga detyra për drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani.

Vendimi vjen pas deklarimit të moskompetencës nga Gjykata e Beratit, ku ishte regjistruar fillimisht çështja. Gjatë seancës me dyer të mbyllura në Tiranë, prokurori deklaroi se nuk përmbushen kriteret ligjore për të mbajtur në fuqi pezullimin.

Sipas tij, urdhri i dhënë nga Sulejmani për transferimin e dy oficerëve – njëri në Dibër dhe tjetri në Fier – nuk ka sjellë pasoja të pariparueshme, pasi pozicionet mund të mbuloheshin nga oficerë të tjerë.

Florian Sulejmani ishte pezulluar nga detyra më 16 prill me urdhër të Prokurorisë së Beratit, e cila ngriti ndaj tij akuzën për “Shpërdorim detyre”. Organi i akuzës pretendon se drejtori i AMP-së ka vepruar në kundërshtim me ligjin në transferimin e oficerëve të policisë gjyqësore, duke shkelur dispozitat e Ligjit për Policinë Gjyqësore dhe atë për AMP-në.

Prokuroria e Beratit theksonte gjithashtu se ekzistonin rrethana të cilat mund të rrezikonin mbledhjen apo vërtetësinë e provave, dhe e konsideronte masën e pezullimit si të domosdoshme për vijimin e hetimeve.

Me vendimin e sotëm të gjykatës në Tiranë, Florian Sulejmani rikthehet në detyrë në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.