Jorida Tabaku: Nuk ka nevojë të jesh burrë për të qenë e fortë


Kandidatja e Partisë Demokratike për Tiranën, Jorida Tabaku, mori pjesë në samitin ndërkombëtar “Woman Global Summit”, ku mbajti një fjalë të ndjerë për rolin e grave në politikë dhe në jetën shoqërore.

Tabaku theksoi se përmes karrierës së saj ka punuar për të krijuar hapësira për gratë dhe vajzat, duke ofruar një model ndryshe në politikë – të qetë, por të vendosur.

“Nuk ke nevojë të jesh burrë për të qenë e fortë. Mjafton të jesh grua dhe të lësh shenjë,” u shpreh ajo, duke nënvizuar sfidat që gratë përballojnë çdo ditë në jetën profesionale dhe familjare.

Duke folur për përfaqësimin politik, Tabaku mbrojti idenë e kuotave gjinore si një mekanizëm të nevojshëm për rritjen e përfshirjes së grave në vendimmarrje. Ajo ndau edhe një moment personal nga viti 2009, kur mori mbështetjen e parë për të hyrë në politikë nga një tjetër grua, që i kërkoi të bënte diferencën.

“Kam zgjedhur të jem zëri i grave, jo zhurma e politikës,” theksoi Tabaku, duke i qëndruar besnike profilit të saj të përqendruar tek çështjet ekonomike dhe sociale, të cilat, sipas saj, gratë i përjetojnë më afër se kushdo tjetër.

Ajo solli në vëmendje takimet me gra të zakonshme gjatë fushatës, si nënat e fëmijëve me autizëm apo gratë që punojnë çdo ditë për të përballuar jetën.

“Duhet të jemi krah i këtyre grave që luftojnë për dinjitetin e tyre. Kemi një detyrim ndaj tyre,” tha Tabaku.

Në fund, ajo dha një mesazh të fuqishëm për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare.

“Dera ime në Kuvend do të jetë gjithmonë e hapur për ju. Politika për mua nuk është pushtet, por mision për t’i shërbyer çdo gruaje, çdo nëne dhe çdo vajze.”

Fjalimin e mbylli me një thirrje për shoqërinë.

“Gratë nuk dorëzohen, kampionet nuk dorëzohen. Le të ndërtojmë së bashku një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.”