Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë një takimi në Korçë, shprehu entuziazëm për mbështetjen në rritje që po merr forca e tij politike. Shehaj tha se Partia Mundësia është tashmë forca e tretë politike në Shqipëri, me një diferencë të madhe nga partitë e tjera.
Në fjalën e tij, ai paralajmëroi se në javët e mbetura deri në zgjedhje do të përballet me sulme dhe gënjeshtra ndaj tij dhe partisë.
“Të gjithë e kanë kuptuar, ne jemi partia e 3-të në Shqipëri me një diferencë të madhe nga i katërti dhe i pesti, dhe kjo po del gjithandej.
Dhe ju e kuptoni shumë thjeshtë nga një gjë që ka filluar të ndodhë kohët e fundit, që është: sulmet. Po ky është vetëm fillimi, do kemi 2 javë sulmesh, 2 javë gënjeshtrash, 2 javë mashtrimesh,” tha ai.
Shehaj i bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre sulmeve dhe të qëndrojnë të palëkundur.
“Duan të gënjejnë qytetarët shqiptarë: Agroni është i keq, Agroni është i ditur, do fillojnë të merren me familjarët e mi, me vëllezërit e mi, me të afërmit e mi. Mos e vrisni mendjen, çdo sulm që vjen nga njerëz që kanë humbur besimin e qytetarëve është një mbështetje në fakt, nuk është një sulm. Kështu që nuk duhet ta vrasim mendjen fare,” theksoi ai.
Ai nënvizoi se shumë shqiptarë ndajnë të njëjtën ëndërr për një Shqipëri pa korrupsion dhe për një të ardhme më të ndershme.
“Ka shumë ëndërrimtarë si puna jonë, nuk jemi vetëm.
Ka shumë që mendojnë që e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë në duart e një tufe politikanësh të korruptuar, dhe këta thonë të gjithë të njëjtën gjë: Duhet të votojmë, duhet të punojmë kundër korrupsionit, ky është problemi.
E di që kanë kaluar 34 vjet, por kjo s’do të thotë që të merremi me diçka tjetër, ky është problemi, dhe duhet të flasim për këtë gjë, dhe me votën tonë mund ta ndryshojmë Shqipërinë.
Ndryshimi do vijë në 12 maj, është vetëm fillimi. Ndryshimi është një proces,” përfundoi Agron Shehaj.