Deputetja e listës së mbyllur të “Aleancës Madhështore” dhe përfaqësuese e PDIU-së, Mesila Doda, ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetet sociale se është operuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Doda ka publikuar një foto nga ambientet e QSUT-së, ndërsa tregon se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndan falënderime për stafin mjekësor që është kujdesur për të.
“Sot, pas një ndërhyrjeje në QSUT, falënderoj nga zemra prof. Arvin Dibra dhe gjithë ekipin e tij: dr. Drini Shehu, dr. Majlinda Naço dhe gjithë personelin e mjekëve dhe infermierëve që sot më risollën besimin te mjekësia publike në Shqipëri,” shkruan Doda.
Ajo shton se profesionalizmi dhe përkushtimi i stafit i kanë krijuar ndjesinë se ndodhej në një strukturë shëndetësore europiane.