Meta: Kjo qeveri e urren Veriun, pas 11 majit gjendja do të ndryshojë


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka deklaruar se ndihet krenar për ndërtimin e superstradës Lezhë–Shkodër gjatë kohës që drejtonte qeverinë si Kryeministër. Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se kjo vepër u realizua plotësisht me buxhetin e shtetit dhe solli një shpresë të re për Veriun e vendit.

“Rruga Lezhë–Shkodër nuk ishte vetëm një investim infrastrukturor, por një lidhje më e mirë e Shqipërisë me Europën dhe një nxitje për turizmin,” shkroi Meta, duke shtuar se ndonëse në kohë të vështira, realizimi i saj ishte një provë se me vizion dhe përkushtim gjithçka është e mundur.

Meta akuzoi qeverinë aktuale për shpërfillje ndaj Veriut të vendit, duke thënë se gjatë 12 viteve të fundit janë humbur mundësi të mëdha për zhvillimin e këtij rajoni.

“Pas 11 majit, Veriu do të bëhet madhështor,” premton Meta, duke thënë se eksperienca dhe patriotizmi i koalicionit opozitar do ta kthejnë atë në një prioritet zhvillimi.

Në fund të mesazhit të tij, ai u bën thirrje qytetarëve të votojnë Koalicionin “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe vetë atë si kandidat në qarkun e Tiranës.