Partia Demokratike ka hedhur akuza të reja ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, duke pretenduar se ai është përfshirë në një skandal me konflikt interesi. Përmes një deklarate nga selia blu, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se ministri rezulton i lidhur me kompaninë që fitoi tenderin për larjen e automjetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Vangjelit, subjekti “Veba 45” sh.p.k., që operon pranë Hotel Rogner me aktivitet në lavazhe dhe parkime, rezulton në pronësi të nënës 70-vjeçare të ministrit Hoxha, ndërsa administrator i kompanisë është vëllai i tij, Darling Hoxha, njëkohësisht drejtues i OSSH Tiranë.
Kontrata për larjen e makinës së Ballukut kishte ngjallur debat ditë më parë, pasi parashikonte një kosto prej 10 mijë euro në muaj vetëm për shërbimin e lavazhit. Sipas PD, specifikimet e tenderit ishin të tilla që përputheshin plotësisht me kapacitetet e lavazhit në pronësi të familjes së ministrit Hoxha.
PD e konsideron këtë një rast të pastër të konfliktit të interesit, duke cituar nenet 27 dhe 35 të ligjit përkatës, ku thuhet se pronësia në emër të një familjari konsiderohet njësoj si në emër të vetë zyrtarit.
“Ky nuk është një rast i izoluar. Subjekti ‘Veba 45’ ka përfituar edhe më parë fonde publike nga institucione shtetërore ku ministri Hoxha ka pasur lidhje pune, përfshirë Tatimet, Inspektoratin e Punës, Burgjet dhe institucione të tjera qendrore,” u shpreh Vangjeli.
PD akuzon qeverinë se ka kthyer në praktikë zhvatjen e burimeve publike, duke përfshirë edhe shërbimet më të zakonshme si lavazhet. Ajo i bën thirrje SPAK të nisë hetime të menjëhershme për këtë rast.
Sapo procedura u bë publike dhe u denoncua nga kreu i opozitës, Sali Berisha, tenderi u anulua nga Ministria e Infrastrukturës me arsyetimin se dokumentet përmbanin gabime dhe mangësi të rëndësishme.