AKU gjen aflatoksinë M1, një substancë toksike me potencial kancerogjen, gjatë analizave të qumështit në Vlorë


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 në disa mostra qumështi të analizuara në qytetin e Vlorës, gjatë një fushate monitorimi të zhvilluar nga janari deri në prill 2025.

Aflatoksina M1 është një substancë toksike me potencial kancerogjen, e cila kalon në qumështin e kafshëve nëse ato ushqehen me foragjere të kontaminuara. Ky përbërës është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët dhe grupet më të ndjeshme të popullatës.

Sipas njoftimit zyrtar, janë analizuar gjithsej 26 mostra qumështi dhe nënproduktesh, nga të cilat 10 – pra rreth 40% – rezultuan me nivele të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar të sigurisë ushqimore.

Pas rezultateve laboratorike të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), AKU ka ndërhyrë menjëherë duke verifikuar pikat e shitjes ku dyshohej se ishin shpërndarë produktet e ndotura. Produktet e konsideruara të pasigurta janë tërhequr menjëherë nga tregu për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.

Autoritetet kanë nisur hetime për të identifikuar burimin e kontaminimit dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. AKU i bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë blerjeve dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për sigurinë ushqimore.