Ukraina ka mohuar pretendimet ruse se është detyruar të largohet nga rajoni Kursk i Rusisë. Shefi i shtabit të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, deklaroi se forcat ruse kishin rifituar kontrollin e plotë të rajonit, tetë muaj pas inkursionit të befasishëm të trupave ukrainase në këtë zonë kufitare.
Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi përpjekjen e Ukrainës si një “dështim të plotë”.
Megjithatë, ushtria ukrainase tha se trupat e saj vijojnë operacionet në Kursk dhe i cilësoi deklaratat ruse si “mashtrime propagandistike”.
Pavarësisht përballjes me 70,000 trupa ruse dhe sulme intensive me dronë, forcat ukrainase kanë vazhduar të qëndrojnë në rajon.
Në një videokonferencë me Putinin të shtunën, Gerasimov njoftoi se vendbanimi i fundit, fshati Gornal, ishte “çliruar” nga forcat ukrainase, duke vlerësuar edhe ndihmën e trupave të Koresë së Veriut. Putin, nga ana e tij, tha se “aventura e Kievit ka dështuar plotësisht” dhe pretendoi se kjo do t’i hapte rrugën avancimeve të tjera ruse.
Nga ana tjetër, në një reagim në Telegram, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase pranoi se situata në fushën e betejës është “e vështirë”, por këmbënguli se trupat ukrainase mbajnë ende pozicione në Kursk dhe vazhdojnë operacionet në rajonin Belgorod.
Inkursioni i Ukrainës në Kursk nisi në gusht të vitit të kaluar, me qëllimin për të krijuar një zonë tampon që do të pengonte forcat ruse të përqendroheshin në vijën e frontit lindor të Ukrainës./BBC