Tabaku në podcast: Një rrëfim ndryshe për politikën, sfidat dhe shpresën


Në një intervistë të ngrohtë dhe frymëzuese në podcastin “Inspire” të Alketa Vejsiut, kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në listat e hapura të Tiranës, Jorida Tabaku, ndau me publikun historinë e saj personale, sfidat në politikë dhe vizionin për të ardhmen e vendit.

Ish-studentja e Tabakut në Fakultetin e Ekonomisë, Alketa Vejsiu, e cilësoi atë si një profil njerëzor që frymëzon dhe si një model të suksesit të ndërtuar përmes përballjes me sfida. “Nuk je në listat e mbyllura, por në një sfidë pas sfide,” theksoi Alketa, duke vlerësuar rrugën e vështirë, por të ndershme, që Tabaku ka zgjedhur të ndjekë në politikë.

Tabaku e përshkroi këtë periudhë si një mal për t’u kapërcyer, duke u shprehur me vendosmëri: “Kjo sfidë do të fitohet.” Ajo theksoi se besimi në punën e bërë dhe mbështetja nga njerëzit janë motivimi më i madh për të ecur përpara.

Një nga shtyllat e rëndësishme të rrëfimit të saj ishte bindja se politika duhet të dëgjojë më shumë sesa të flasë. “Politika duhet të jetë zëri i atyre që nuk kanë mundësi të flasin vetë,” tha Tabaku, duke ndarë historinë prekëse të një çifti që rrisin një vajzë me autizëm dhe që për të mbeten një burim frymëzimi të përditshëm.

E pyetur për ndryshimet që do të sillte, Tabaku theksoi tri prioritete: fuqizimin e grave, rritjen e cilësisë së arsimit dhe ndërtimin e shkollave ku droga dhe bullizmi të mos kenë vend. “Gratë nuk janë thjesht numra. Ato janë forca që ndryshojnë shoqërinë,” theksoi ajo.

Në një moment personal, Tabaku ndau një kujtim të paharrueshëm nga viti 2009, kur një nënë që kishte rritur tre fëmijë jetimë i tregoi për përpjekjen që çdo ditë të paktën një vakt ta hanin së bashku. Ky rrëfim është kthyer për Tabakun në një udhërrëfyes të heshtur për të ruajtur lidhjen me familjen, edhe në periudha intensive si ajo e fushatës.

Në pjesën që i dedikoi betejave të saj politike, Jorida Tabaku nënvizoi se sfida për profesionistët e lirë është një nga fitoret më kuptimplota që ka arritur deri më tani. “Beteja për profesionistët e lirë ishte një betejë për punën, për dinjitetin dhe për mundësinë që qytetari të mos shantazhohej nga taksa të padrejta,” deklaroi ajo.

Tabaku kujtoi se përmes kësaj lëvizjeje, bashkë me profesionistët, avokatët, zhvilluesit e softuerëve dhe shumë të tjerë që punonin ndershmërisht, arritën të bindin Gjykatën Kushtetuese të shpallte antikushtetues taksimin diskriminues ndaj tyre. “Kjo nuk ishte një fitore politike, por një fitore për qytetarët, për ekonominë dhe për lirinë e punës,” theksoi ajo.

Në të njëjtën frymë, Tabaku ndaloi edhe tek një tjetër kauzë e rëndësishme e saj: hetimi i aferës së inceneratorëve. Duke kujtuar përballjen e fortë me Kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë pushtetin e ekzekutivit në Komisionin Hetimor, Tabaku tha: “Iu futëm detit në këmbë, por e vërteta ishte në krahun tonë.”

Sipas saj, këto dy beteja – për profesionistët e lirë dhe për inceneratorët – janë dëshmia më e mirë se politika mund të ketë një mision të ndershëm dhe të lidhur me interesin publik.

Në lidhje me situatën në Partinë Demokratike, Tabaku u shpreh se pavarësisht vështirësive, Sali Berisha mbetet një figurë bashkuese në këtë moment. “Ai ka karizmën për të mbajtur strukturat e bashkuara dhe për t’iu drejtuar qytetarëve,” tha ajo, ndërsa nënvizoi nevojën për të rritur hapësirat për gratë dhe të rinjtë në PD.

Për Tabakun, politika nuk ka gjini, por ka ide dhe përkushtim. “Ka pasur momente sfiduese, por energjinë ma kanë dhënë njerëzit dhe kauzat që kanë bërë diferencën,” u shpreh ajo.