Trafik droge nga SHBA me postë në Tiranë dhe Elbasan, sekuestrohen 7.7 kg kanabis


Policia ka goditur dy raste të trafikimit të kanabisit me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, përmes dërgesave postare në Tiranë dhe Elbasan. Operacionet “Dërgesa 1” dhe “Dërgesa 2” janë zhvilluar brenda 24 orëve nga Njësia Antidrogë e Tiranës, duke çuar në sekuestrimin e 3 pakove me gjithsej 7.7 kilogramë kanabis sativa me përqindje të lartë të substancës aktive THC.

Në Elbasan, gjatë operacionit “Dërgesa 1”, u arrestua në flagrancë Rakip Hoxha, 32 vjeç, ndërsa tërhiqte dy pako me rreth 4 kg kanabis në një pikë postare. Në Vorë, gjatë operacionit “Dërgesa 2”, u identifikua dhe shpall në kërkim Flavio Islamaj, 21 vjeç, i dyshuar për përpjekjen për tërheqjen e një pakoje me rreth 3.7 kg kanabis.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, ndërsa vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim.