Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është takuar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, para funeralit shtetëror të Papa Françeskut në Vatikan të shtunën, përcjell REL.
Thuhet se ata janë pajtuar për të zhvilluar bisedime të mëtejshme pas varrimit.
Steven Cheung, drejtori për komunikim në Shtëpinë e Bardhë, tha se Trump dhe Zelensky “u takuan privatisht sot dhe zhvilluan një bisedë shumë frytdhënëse”.
Ai shtoi se më shumë hollësi rreth takimit do të bëhen të ditura më vonë.
Sekretari për shtyp i Zelenskyt, Serhiy Nykyforov, gjithashtu konfirmoi se dy presidentët u takuan në Romë para se të merrnin pjesë në varrim, por nuk përmendi nëse do të ketë bisedime të tjera pas varrimit.
Sky News, duke cituar burime të Vatikanit, raportoi se Trump dhe Zelensky do të zhvillojnë bisedime të mëtejshme pas varrimit.
Pjesëmarrja e presidentit ukrainas në varrimin e papës ishte e pasigurt, por Zelensky u prit me duartrokitje nga turma sapo mbërriti në sheshin Shën Pjetri.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes Trumpit dhe Zelenskyt që nga përplasja e tyre publike në shkurt në Shtëpinë e Bardhë. Takimi gjithashtu ndodhi në një kohë kur i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin të premten.
Trump tha të premten pas takimit Witkoff-Putin se janë “shumë pranë” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe i bëri thirrje Zelenskyt ta “përmbyllë” këtë proces.
Ai i kishte paralajmëruar më herët të dyja palët se Uashingtoni është i gatshëm të tërhiqet nga përpjekjet për ta ndërmjetësuar arritjen e paqes mes Kievit dhe Moskës, nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti.