Presidenti Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takuan shkurtimisht të shtunën, përpara funeralit të Papa Françeskut, ndërsa lideri amerikan po shton përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes Trump dhe Zelensky që nga fundi i shkurtit, kur ata kishin pasur një diskutim të tensionuar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Zyra e Zelenskyyt kishte bërë të ditur se ekipet ishin duke punuar për të organizuar një bisedë të dytë mes liderëve të shtunën, por Trump u nis direkt për në aeroportin e Romës pas funeralit dhe hipi në Air Force One për fluturimin 10-orësh drejt Shteteve të Bashkuara, duke e pamundësuar një takim tjetër personal.
Zëdhënësi i Zelenskyt, Serhii Nykyforov, tha se takimi i dytë nuk u realizua për shkak të ngarkesës së orareve të tyre. Pas funeralit, Zelensky e cilësoi takimin në rrjetet sociale si “takim i mirë”.
“Diskutuam shumë gjëra në mënyrë personale. Shpresojmë për rezultate në gjithçka që mbuluam: mbrojtjen e jetëve të njerëzve tanë, një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, si dhe një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme që do të parandalojë një luftë tjetër,” shkroi ai në platformën X.
“Një takim shumë simbolik që mund të bëhet historik, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta. Faleminderit.”
Shtëpia e Bardhë e përshkroi diskutimin si “shumë produktiv” dhe bëri të ditur se do të publikojë më shumë detaje në vijim. Takimi zgjati rreth 15 minuta brenda Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, pak përpara se Trump dhe Zelensky të merrnin pjesë në shërbimin funeral në ambient të hapur.
Vatikani kishte ofruar më herët ndihmën për lehtësimin e bisedimeve të paqes dhe Papa Françesku kishte bërë thirrje të vazhdueshme për paqe dhe dialog.
Takimi mes Trump dhe Zelenskyt në dyshemetë prej mermeri të Bazilikës, në ditën e funeralit të Papës, u pa si një respektim i dëshirave të tij.
Takimi ndodhi disa orë pasi Trump kishte bërë thirrje në rrjetet sociale për zhvillimin e “bisedimeve të nivelit shumë të lartë” mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës që po vazhdon prej tre vitesh.
Ndërsa Zelensky ra dakord me një plan amerikan për një armëpushim fillestar 30-ditor, Rusia nuk e ka pranuar marrëveshjen dhe ka vijuar me goditjet ndaj objektivave në Ukrainë./AP