Trump: Rusia dhe Ukraina janë shumë pranë një marrëveshjeje


Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Rusia dhe Ukraina janë “shumë pranë një marrëveshjeje”, disa orë pasi i dërguari i tij, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Ai e cilësoi ditën si “pozitive për negociatat”, ndërsa Kremlini i përshkroi bisedimet – ku Ukraina nuk ishte e pranishme – si “konstruktive”, përcjell BBC.

Trump shkroi në rrjetet sociale se “shumica e pikave kryesore janë rënë dakord” dhe i bëri thirrje të dyja palëve të takohen “në nivele shumë të larta” për të “finalizuar marrëveshjen”.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se është i domosdoshëm presioni i vërtetë ndaj Rusisë për të pranuar një armëpushim pa kushte. Ai deklaroi për BBC se çështjet territoriale mund të diskutohen vetëm pas një ndalese të plotë të luftimeve.

Sipas raportimeve, plani i propozuar nga SHBA parashikon që Ukraina të heqë dorë nga pjesë të konsiderueshme territori të aneksuar nga Rusia – përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin Trump tha se “duhet të mbetet nën kontrollin rus”, deklaratë e refuzuar kategorikisht nga Zelensky.

Gjatë ditës së premte, trafiku në Moskë u ndal për shkak të mbërritjes së karvanit të Witkoff në Kremlin. Takimi treorësh u cilësua “shumë i dobishëm” nga ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov, duke theksuar se palët po afrohen jo vetëm për çështjen e Ukrainës, por edhe për tema të tjera ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit të tij në Romë për funeralin e Papa Françeskut, Trump tha se negociatat po ecin në drejtimin e duhur, ndërsa pretendoi se lufta po i kushton jetën mbi 5,000 personave çdo javë nga të dyja palët.

Ndërkohë, Zelensky akuzoi Rusinë se po refuzon marrëveshjen për armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA dhe i bëri thirrje aleatëve të rrisin presionin ndaj Moskës. Ai po ashtu theksoi se raketat që goditën Kievin të enjten, duke vrarë 12 persona, përmbanin pjesë të prodhuara në Perëndim – shumica nga kompani amerikane.

Trump, nga ana tjetër, ka ushtruar presion mbi Ukrainën për të nënshkruar një marrëveshje të vonuar për mineralet e rralla, që do t’i siguronte SHBA-ve qasje në burimet natyrore të vendit. Marrëveshja, sipas tij, është vonuar prej më shumë se tre javësh.